Foto: RTV 21

Mbi 17 mijë çifte u kurorëzuan në Kosovë gjatë vitit të kaluar

Në vitin 2017 në Kosovë janë kurorëzuar 17 mijë e  112 çifte-bashkëshortore.

Kjo është bërë e ditur nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), pasi  ka publikuar “Statistikat e Kurorëzimeve në Kosovë” për vitin 2017.

Të dhënat në këtë publikim si bazë kanë të dhënat administrative të marra nga zyrat e Gjendjes Civile në Kosovë.

ASK njofton se në vitin 2017 janë grumbulluar gjithsej 18 mijë e 642 fleta statistikore për kurorëzime.

Sipas agjencisë,  duke iu referuar përbërjes etnike del se me përkatësi etnike shqiptare janë kurorëzuar 93.3% femra dhe 95.7%  meshkuj;

“Me përkatësi etnike serbe janë kurorëzuar 0.9% femra dhe 0.9% meshkuj;  me përkatësi etnike turke janë kurorëzuar 0.3% femra dhe 0.4% meshkuj; me përkatësi etnike boshnjake janë kurorëzuar 1.3% femra dhe 1.2% meshkuj; me përkatësi etnike rome, ashkali dhe egjiptiane janë kurorëzuar 1.0% femra dhe 1.0% meshkuj; kurse me përkatësi tjetër etnike janë kurorëzuar 3.1% femra dhe 0.7% meshkuj”, thuhet në këtë publikim.

Sipas statistikave, rezulton se mosha mesatare e të martuarve ishte 30 vjeç.

Prej tyre, mosha mesatare e meshkujve ishte 32 vjeç, ndërsa mosha mesatare e femrave ishte 28 vjeç.

“Kurorëzimet sipas grup-moshave, dominojnë femrat e moshës 20-24 vjeçare me 5 500 ose 32.1%, ndërsa te meshkujt dominon mosha 25-29 vjeçare me 5 278, ose 30.8%”, rezultojnë të dhënat.

ASK ka njoftuar se sipas komunave, Prizreni zë vendin e parë në Kosovë me 1594 kurorëzime, ose 8.6%; Prishtina me 1 420, ose 7.6%; Ferizaj me 1 047, ose 5.6% etj.

Sipas përgatitjes shkollore, dominojnë femrat dhe meshkujt me shkollë të mesme. Numri i femrave të kësaj kategorie është 10 mijë e 946, ose 64.0%; dhe numri i meshkujve është 12 mijë e 312, ose 71.9%.