Mbi 10,000 Fëmijë Emigrantë të Zhdukur në Evropë

Më shumë se 10.000 fëmijë emigrantë të pashoqëruar janë zhdukur në Evropë në 18-24 muajt e fundit, ka njoftuar sot agjencia e koordinimit policor Europol, e cila druan se shumica prej tyre mund të shfrytëzohen, sidomos seksualisht, nga krimi i organizuar.

Organizata, e cila ka selinë në Hagë, flet për një “infrastrukturë kriminale” panevropiane, e cila synon të përfitojë nga kriza më e rëndë e imigracionit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, raporton agjencia AFP.

Këto informacione, të dhëna nga një zyrtar i Europol-it në një intervistë për javoren britanike ”The Observer”, i janë konfirmuar sot AFP-së nga shërbimi për shtyp i agjencisë së koordinimit policor.

Gjurmët e këtyre fëmijëve janë zhdukur pasi ata janë regjistruar pranë autoriteteve evropiane, ka thënë ky zyrtar, Brian Donald.

Ai vlerëson se rreth 5.000 prej tyre janë zhdukur në Itali, njëra prej portave hyrëse drejt Evropës për emigrantët e ardhur përmes Mesdheut, raporton Agence France Presse.

“Nuk është e paarsyeshme të thuhet se po flasim këtu për më shumë se 10.000 fëmijë“, ka theksuar z. Donald. “Mirëpo, të gjithë nuk janë duke u shfrytëzuar për qëllime kriminale. Ka prej tyre që u janë bashkuar anëtarëve të familjeve të tyre. Ne, thjeshtë, nuk e dimë ku janë, çfarë bëjnë dhe me kë“.

Një zëdhënëse e Europol ka thënë për AFP se shifra është siguruar sidomos në bazë të informacioneve të ofruara nga vendet evropiane dhe që janë të qasshme publikisht, për shembull në internet dhe që këto zhdukje kanë ndodhur në 18 -24 muajt e fundit.

“Të miturit që udhëtojnë të pashoqëruar nga të rriturit janë grupi më i rrezikuar nga fluksi i emigrantëve” ka theksuar Rafaella Milano, drejtoreshë e programeve Itali-Evropë e OJQ-së “Save the Children”. “Forcimi i masave të mbrojtjes kundër rreziqeve të rënda me të cilat ata përballen është i domosdoshëm” ka theksuar ajo.

Rreth një milion emigrantë, kryesisht sirianë, irakianë e eritreas që kanë ikur nga vendet e tyre kanë arritur në Evropë më 2015, thekson Europol. Rreth 27 për qind e tyre janë të mitur.