Foto: Ministria e Infrastrukturës

Mbi 1 milion euro për rrugët në Lipjan

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me komunën e Lipjanit për projekte rrugore.

Përfaqësuesit e dy institucioneve në fjalë, Zëvendës Ministri Rexhep Kadriu dhe kryetari i komunës, Imri Ahmeti, kanë bërë të ditur se nënshkruan memorandum bashkëpunimi për vitin 2018 dhe anekset e marrëveshjeve paraprake për disa projekte rrugore në Lipjan, që arrijnë shifrën 1,203,468 Euro.

Në njoftim thuhet se nga ky memorandumi, do të financohet rruga përgjatë hekurudhës Gllogovc – Rubovc, ndërsa mjetet e tjera janë ndarë për vazhdimin e projekteve për rrugët Magurë – Blinaj, Vojnovc – Topliqan dhe Llugaxhi – Gadime.

“Duke ndarë përgjegjësitë për dinamizimin dhe përshpejtimin e projekteve infrastrukturore, kryesisht asfaltimin e rrugëve të Lipjanit, zëvendësministri Kadriu deklaroi se Ministria e Infrastrukturës do të jetë e gatshme që në çdo kohë të ofrojë përkrahje dhe të shërbejë në të mirë të qytetarëve të Lipjanit”, thuhet në komunikatën e MI.

Me rastin e kësaj vizite, zëvendësministri Kadriu dhe kryetari Ahmeti, vizituan edhe udhëkryqin ku pritet të bëhet rreth rrotullimi i rrugës nacionale N2 në Banullë, investim ky i Ministrisë së Infrastrukturës.