Breshkat fluturuese-Chelonia Mydas të pajisura me transmetues satelitorë Foto nga Shoqata Herpetofauna Shqiptare

Mbetjet plastike dhe peshkatarët kërcënojnë mbijetesën e breshkave detare

Speciet globalisht të rrezikuara përballen me kërcënime të shtuara në bregdetin shqiptar të ndotur nga mbetjet plastike, ndërkohë që mungon vëmendja e autoriteteve dhe ndërgjegjësimi i peshkatarëve.

Në udhëtimet e tij të pasionuara në Kepin e Rodonit, Gavrosh Zela thotë se është përballur hera herës me breshka detare të ngordhura në bregun e skajit verior. Eksperti i mjedisit, i cili koordinon një projekt rajonal për ndotjen e ujërave me Malin e Zi dhe Bosnjen, fajëson qeset dhe shishet e plastikës që pluskojnë gjithandej mbi ujë.

“Breshkat i hanë ato, duke i ngatërruar me kandilët e detit, ushqim i preferuar prej tyre. Por aparati tretës i breshkave e ka të pamundur që t’i absorbojë lëndët plastike dhe kimike të qeseve,” tha ai me shqetësim për BIRN.

Prej vitit 2000, specialistët kanë matrikuluar mbi 2 mijë breshka detare në vijën bregdetare të Adriatikut për qëllime monitorimi dhe studimi. Por speciet globalisht të rrezikuara kërcënohen jo vetëm nga rrjetat e peshkatarëve dhe helikat e anijeve, por edhe nga mbetjet e plastikës në bregdetin shqiptar.

Specialistë të mjedisit dhe studiues i thanë BIRN se mbetjet plastike që lumenjtë derdhin në det si dhe shfrytëzimi masiv i plazheve e kanë ndryshuar habitatin ujor të Adriatikut dhe vështirësuar jetën e breshkave të ujit. Ata e konsiderojnë të pamjaftueshme punën e institucioneve të specializuara për gjallesat detare si dhe vërejnë mungesë bashkëpunimi mes tyre për mbrojtjen e specieve në zhdukje.

Prof. Dr. Idriz Haxhiu, kryetar i Shoqatës Herpetofauna Shqiptare, SHHSH, e cila ka si mision shpëtimin e specieve të rrezikuara është gjithashtu i shqetësuar nga mungesa e kapaciteve dhe e vëmendjes.

“Ne kemi trajnuar rojet mjedisore të të gjitha Agjencive Rajonale të Zonave të Mbrojtura, që shtrihen përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, por ishte dhe mbetet e nevojshme rritja e kapaciteteve në këto institucione, pasi ata bashkë me ne kërkuesit shkencorë, duhet të jenë në vijën e parë për mbrojtjen e gjallesave dhe natyrës,” tha ai.

Rreziku nga peshkatarët

Prof. Idriz Haxhiu dhe kolegët e tij duke studiuar një breshkë kurriz-lëkurore “Dermochelys Coriacea”. Foto nga: Shoqata Herpetofauna Shqiptare.

Prof. Idriz Haxhiu dhe kolegët e tij duke studiuar një breshkë kurriz-lëkurore “Dermochelys Coriacea”. Foto nga: Shoqata Herpetofauna Shqiptare.

Breshkat e detit janë gjallesa të shfaqura rreth 110 milionë vjet më parë dhe njihen si bashkëkohës të dinosaurëve. Ato konsiderohen specie në rrezik zhdukjeje nga Unioni Ndërkombëtar për Mbrojtjen e Natyrës si dhe janë të mbrojtura nga Akti i Specieve të Rrezikuara i vitit 1973.

Në Shqipëri, breshka e parë detare është evidentuar rreth 40 vjet më parë pranë Shëngjinit dhe kishte një peshë prej 200 kilogramësh. Prej asaj kohe, të dhënat shkencore për breshkat e ujit dhe nevojën për mbrojtjen e tyre janë pasuruar shumë.

Breshka më e zakonshme e hasur në bregdetin shqiptar është “caretta caretta”. Por Shoqata Herpetofauna Shqiptare ka dokumentuar në plazhet e Patokut praninë e breshkave që u përkasin dy llojeve të veçantë: “breshka lëkurore” me përmasa gjigande dhe peshë prej afro 400 kg, si dhe “breshka fluturuese”, e cila i ka habitur peshkatarët me lëvizjet e saj prej “balerine elegante”.

Studiuesit e Shoqatës Herpetofauna Shqiptarë janë ende të entuziazmuar nga zbulimi i disa viteve më parë që breshkat ujore folenizojnë edhe në bregdetin shqiptar. Por ky zbulim i kushtoi jetën njërës prej tyre.

“15 vjet më parë, pranë Orikumit në Vlorë, pronari i një lokali theri një breshkë deti, e cila kishte dalë disa herë radhazi në breg. Vetëm kur iu gjetën 80-90 vezë në trup, e kuptuam përse e kishte kërkuar rërën e bregut,” kujton profesor Haxhiu.

Pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit për speciet e rrezikuara, breshkat e detit përballen sërish me kërcënime në bregdetin shqiptar.

Jet Doda, një peshkatar i zonës së Ishmit që ka ndjekur leksionet e profesor Idriz Haxhiut dhe kolegëve të tij në Shoqatën Herpetofauna Shqiptare i tha BIRN se breshkat e ujit i nervozojnë shpesh peshkatarët për dëmin që u shkaktojnë rrjetave.

“Breshkat marrin frymë mbi ujë çdo 25 minuta. Kur bien në rrjetat tona ato mbesin të asfiksuara edhe për disa orë. Më pas peshkatarët nuk i hedhin përsëri në ujë, pasi revoltohen vetëm për dëmin që u shkaktohet rrjetave,” tregon Doda.

Ai kujton se kur kapiteni i zemëruar i motopeshkarexhës i shante breshkat që erdhën “në shtëpinë e tij”, përgjigja e një peshkatari të vjetër ishte shumë e mençur: “I ngacmuam ne breshkat në shtëpinë e tyre, jo e kundërta”.

Nevoja për edukim

Biologia Viola Piroli duke studiuar vezët e para të breshkëve të detit të gjetura në Shqipëri. Foto nga: Shoqata Herpetofauna Shqiptare.

Breshkat detare jetojnë deri në 200 vjet kanë aftësi mahnitëse rekuperimi. Kur gjymtyrët e tyre dëmtohen rëndë nga elikat metalike apo nga peshkaqenët, ato arrijnë të rigjenerohen brenda një kohe të shkurtër.

Biologia Viola Piroli duke studiuar vezët e para të breshkëve të detit të gjetura në Shqipëri. Foto nga: Shoqata Herpetofauna Shqiptare.

Florian Dedja, një peshkatar nga Durrësi tregon për BIRN se vite më parë, dy breshka të mëdha ishin ngatërruar në grepat dhe parangallat e tij, vetëm 500 metra larg bregut të Durrësit.

“U alarmova, pasi më dukej se po vuanin,” tregon peshkatari.

Ai kujton se njëra prej tyre kishte në këmbë matrikullin ku shkruhej dukshëm: ‘AL 0125”, ndërsa në anën tjetër lexohej “Prof. Haxhiu, Vorë, Albania”. Dikush e ndihmoi të kontaktonte profesor Haxhiun dhe mjaftoi një këshillë e thjeshtë që breshkat të vijonin jetën normale në det.

Edukimi dhe ndërgjegjësimi i peshkatarëve dhe qytetarëve është një ndër misionet e Shoqatës së drejtuar nga profesor Haxhiu. Tashmë ata kanë ngritur edhe një qendër për mbrojtjen e breshkave pranë plazhit të Patokut, ku specialistët organizojnë takime informimi me studentë apo nxënës të shkollave.

“Po përpiqemi ta bëjmë edukatë këtë, jo vetëm me peshkatarët, por edhe me të rinjtë,” thotë profesor Haxhiu.

Shoqata e drejtuar prej tij po punon së bashku me homologët italianë për ngritjen e një Qendre të rehabilitimit të breshkave të dëmtuara. Por ndërsa qendra konsiderohet një hap i madh në mbrojtjen e këtyre specieve, ekspertët bëjnë thirrje për reduktimin e mbetjeve plastike si dhe një kujdes më të madh për breshkat detare.

“Me një moshë që i kalon 200 vjetët, breshkat në dy shekuj kanë parë ndryshime të shumta në habitatin nënujor. Ndotja nga qeset apo shishet plastike është një “hall më shumë” për jetën e tyre,” përfundon profesor Haxhiu.