Mbetet pezull përzgjedhja e Drejtorit të Agjencisë së Akreditimit

Agjencia Kosovare e Akredimit po vazhdon të funksionojë me ushtrues detyre për shkak se procedurat e përzgjedhjes së Drejtorit kanë mbetur pezull.

Kanë kaluar më shumë se pesë muaj që kur është formuar lista e ngushtë e kandidatëve që komisioni përzgjedhës i ka propozuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për përzgjedhje në krye të AKA-së.

Megjithatë ankesa e një kandidati që nuk ishte në këtë listë të ngushtë dhe pamundësia e shqyrtimit të kësaj ankese e ka lënë këtë procedurë të papërfunduar.

Përzgjedhja e listës së ngushtë që përfshin Afrim Lokun, Rifat Morinën, Naim Gashin ishte publikuar më 25 tetor të vitit 2018.

Më pas, kandidati Anton Gojani që nuk ishte përzgjedhur në listën e ngushtë, ishte ankuar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës.

Kjo ankesë ishte bërë më 11 dhjetor mirëpo nuk ka mundur të shqyrtohet  pë shkak se ky këshill momentalisht nuk ka kuorum për vendimarrje.

“Më datë 11.12.2018 kundër kësaj procedure të rekrutimit ka parashtruar ankesë në KPMSHCK  z. Anton Gojani.  Sic edhe mund të jeni të informuar  KPMSHCK nuk mund të merr vendime, sepse nuk kemi kourum për vendimmarrje. Pas emërimit të anëtarëve në KPMSHCK ne do të marrim vendim për procedurën në fjalë”, thuhet në përgjigjen e KPMSHCK-së.

Eshref Shabani, Kryesuesi i këtij Këshlli tha se afati ligjor i vendimit lidhur me këtë ankesë ka kaluar.

“Afati i ankesës ka kaluar, qeveria ka mundur ta procedojë por nuk kanë dashur ta procedojnë, kanë dashur ta presin vendimin e këshillit. Ankesa figurativisht e suspendon çdo procedim administrativ por meqënese ka kaluar afati i vendimmarrjes thash është çështje e tyre mujnë me procedu”, tha Shabani.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë më 27 shkurt të këtij viti në një përgjigje për KALLXO.com kishte deklaruar shkurt se ‘ky proces është në fazë të ankimimit’.

Baton Dushi, Këshilltar i Ministrit të Arsimit tha për KALLXO.com se nuk ka të reja lidhur me konkursin dhe ende nuk është proceduar ndonjë emër.

Momentalisht pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Agjencisë së Akredimit e mban Avni Gashi.