Mbetet në paraburgim i mituri që dyshohet se sulmoi gruan rome

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës në Ferizaj duke e lënë në paraburgim të miturin që dyshohet për sulmin ndaj gruas rome në maj të këtij viti në  Ferizaj.

Kështu, Apeli e ka refuzuar ankesën e avokatit mbrojtës të paraqitur kundër vendimit për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 01.06.2019, sipas të cilit kjo masë do të zgjas deri më 30 qershor, mbetet në fuqi”, thuhet në njoftimin për media të Gjykatës së Apelit.

Instanca e dytë e drejtësisë ka vlerësuar se Gjykata në Ferizaj ka vepruar drejtë kur ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të miturit.

I mituri po dyshohet për veprën penale” Lëndim i lehtë trupor”  pasi më 31 maj të këtij viti dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht, një qytetare, duke i shkaktuar lëndime trupore.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët në lidhje me sulmet ndaj gruas rome e cila u sulmua fizikisht në qytetin e Lipjanit dhe atë të Ferizajt pas disa portale publikuan lajme që e lidhnin atë me vjedhje të fëmijëve.