Mbetet në Fuqi Paraburgimi për Albulena Haxhiun

Gjykata e Apelit la sot në fuqi paraburgimin për deputeten e “Vetëvendosjes” Albulena Haxhiun.

Apeli refuzoi ankesën e avokatit Ahmet Ahmeti kundër vendimit për paraburgim të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 8 dhjetor.

Apeli paraburgimin e arsyeton me mundësinë e ikjes së deputetes.

“Fakti  se e pandehura  brenda një periudhe të shkurtër kohore, dyshohet t’i ketë përsëritur veprat penale, tregon rrezikun se po te gjendej në liri, ajo prapë do të vepronte njësoj,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria dyshon se haxhiu ka kryer veprat penale Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare dhe  shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Haxhiu u arrestua më 8 dhjetor në Prishtinë nën dyshimet për hedhjen e gazit lotsjellës në një seancë të Kuvendit të Kosovës.