FOTO - Nga seanca ndaj të akuzuarve për tregti me kallashnikovë. Foto: Kallxo.com

Mbeten në paraburgim të akuzuarit për tregti me kallashnikovë në grupin e ish shoferit të Konsullatës së Kosovës në Nju Jork

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniell Prenrecaj janë paraqitur përsëri në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë Speciale të Kosovës për krim të organizuar lidhur me trafikimin e armëve.

Në seancën e kaluar, avokatët mbrojtës kishin kërkuar që të mbahet edhe një seancë fillestare para se të procedohet me shqyrtim të dytë, me qëllim që të negociojnë me prokurorinë për të arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.

Avokatët mbrojtës kanë kërkuar nga prokuroria që vepra penale e krimit të organizuar të rikualifohet.

Por, qysh në fillim të seancës së sotme, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, bëri të ditur se ka pranuar një shkresë nga avokati i Artan Kelmendit, Visar Haxhibeqiri,  më 18 prill 2018 përmes së cilës është njoftuar se negociata me pranimin e fajësisë me marrëveshje ka dështuar.

Gjithashtu edhe avokati i Miftar Dobrajt, Osman Havolli, deklaroi se e njëjta vlen edhe për klientin e tij.

“Ne bëmë përpjekje që të hyjmë në negociata me prokuroren e çështjes duke u mbështetur mbi faktet dhe rrethanat se për veprën për të cilën ngarkohet i mbrojturi im mund të bëhet fjalë vetëm për vepër penale nga neni 372 (Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse), e në asnjë mënyrë si pjesë shoqëruese e kësaj vepre të jetë edhe krimi i organizuar”, deklaroi Havolli.

Tutje, që të gjithë avokatët mbrojtës kërkuan lirimin nga paraburgimi për të mbrojturit e tyre, me arsyetimin se janë bërë afër një vjet që nga koha kur gjenden në paraburgim, si dhe duke theksuar arsye personale se përse arratisja nuk do të konsiderohej si opsion nga ana e të akuzuarve.

Përveç lirimit nga paraburgimi, avokati Nikë Shala, kërkoi nga Gjykata që vetura e konfiskuar e tipit “Audi A3” nga Daniell Prenrecajt, t’ i kthehet familjes së tij.

“Mbrojtja konsideron po ashtu se arsyet që është konfiskuar ‘Audi A3’ kanë pushuar, andaj, lus gjykatën që e njëjta t’ i kthehet familjes”, tha Shala.

Por, prokurorja speciale, Merita Bina- Rugova, kërkoi që të gjitha këto propozime të avokatëve të kundërshtohen nga gjykata.

Ndër arsyetimet që i dha prokurorja speciale Bina- Rugova, ajo theksoi se Miftar Dobraj e Artan Kelmendi kanë qenë të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

“Përveç kësaj nuk është e vërtetë që ka kaluar një vit, në fund të muajit qershor bëhet një vit, pra nga 27 qershor i 2017. Sa i përket propozimit për veturë, kjo veturë është përdorur për kryerjen e veprës penale ashtu që sipas ligjit duhet të konfiskohet përfundimisht dhe jemi duke hartuar kërkesën për shitjen e veturës meqenëse humb vlerën duke qëndruar”, shtoi ajo.

Replikë ndaj prokurores, pati avokati Osman Havolli dhe Nikë Shala, të cilët thanë se të dhënat nga databaza e kallëzimeve penale nuk janë bazë që mund të shërbejnë si prova për vazhdim të paraburgimit.

Sa i përket veturës, avokati Nikë Shala tha se prokuroria nuk mund të bëjë shitjen e veturës ende pa përfunduar procedura.

“Të gjithë e dijmë që gjërat nuk vendosen me prejudikime, por në bazë të fakteve dhe provave, besoj se gjatë seancave në vijim do të vërtetohet se a ka bazë për konfisikim apo jo”, tha Shala.

Pas propozimeve të mbrojtësve, si dhe pas marrjes së mendimit të prokurores, gjykatësja Suzana Çerkini, refuzoi propozimin e avokatëve mbrojtës për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve Miftar Dobraj, Artan Kelmendit dhe Daniell Prenrecaj, kështu duke bërë që  të mbetet në fuqi vendimi i kësaj gjykate për vazhdimin e paraburgimit i datës 27 prill 2018 për arsyet e njëjta.

Aktvendimi do të ju dorëzohet me kohë palëve dhe të gjithëve kanë mundësi të drejtën për ta sfiduar të njëjtën.

Po ashtu, u refuzua edhe propozimi i avokatit Nikë Shala për kthimin e veturës të klientit të tij, Daniell Prerecaj.

Avokatët mbrojtës brenda 30 ditëve do të parashtrojnë kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast është edhe Dren Mulla, i cili ngarkohet me veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Mulla ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale.

Në qershor të vitit 2017, KALLXO.com shkroi se si një operacion i rrufeshëm i Drejtorisë për hetimin e trafikimit të narkotikëve pranë DKKO në Prishtinë rezultoi me zbulimin e  strukturës së një grupi të dyshuar kriminal që vepronte në Republikën e Kosovës, Republikën e Çekisë dhe në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

http://kallxo.com/trekendeshi-kallashnikoveve-kosove-ceki-nju-jork/

Në shkurt të këtij viti, KALLXO.com kishte shkruar për dosjen e Prokurorisë Speciale ku përshkruhet e gjithë kronologjia e ngjarjes që rezultoi me aktakuzë ndaj Dobrajt, Kelmendit dhe Mullës.

http://kallxo.com/ekskluzive-dosja-per-trafikun-e-armeve-nga-klina-per-narkokartelet-meksikane/

15 armë, prej tyre 14 “AK 47” dhe një antitank, që përshkruhen në aktakuzën prej 13 faqeve të Prokurorisë Speciale të Kosovës janë arsyeja e një hetimi që vazhdoi me zbatimin e masave të fshehta për simulimin e blerjes e ku u përfshinë Policia e Kosovës, DEA në ShBA dhe në fund rezultoi me ngritjen e aktakuzës ndaj 3 personave në Kosovë ndërsa procedura po vazhdon ndaj njërit në ShBA.

Duke përdorur arsyetimin se armët ishin të destinuara për luftërat e përgjakshme të narko-karteleve meksikane, hetuesit i ranë në gjurmë një grupi për të cilin tani me aktakuzë po pretendohet se ka kryer krim të organizuar lidhur me veprën e trafikimit me armë.

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniell Prenrecaj po akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se duke vepruar si një grup i organizuar kriminal në krye me ish vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, ndaj të cilit është duke u zhvilluar procedura në ShBA, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Ky i fundit përpos që po përmendet në aktakuzë si kreu i grupit, ishte shofer në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork.

http://kallxo.com/mpj-albert-veliu-eshte-shofer-ne-konsullaten-e-nju-jorkut/

Sipas aktakuzës, gjatë muajve prill-maj 2017 në territorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një agjent i DEA-s në zbatimin e masave të fshehta ka lidhur marrëveshjen me Albert Veliun për blerjen e 15 armëve automatike, gjoja se për narko kartelet në Meksikë me çmim prej 900 dollarë për copë dhe për këtë i ka paguar gjithsej 13,500 dollarë.

Nga kjo shumë e parave, sipas aktakuzës, Veliu më 23 maj 2017 i ka dërguar 2 mijë dollarë të akuzuarit Miftar Dobraj si parapagesë ndërsa më 4 qershor ka ardhur edhe vetë në Kosovë.

Duke ndjekur kronologjinë e ngjarjes aktakuza përshkruan se më 28 qershor pas marrëveshjes paraprake me oficerin e Policisë së Kosovës që ishte duke zbatuar masën e fshehtë të blerjes së simuluar në koordinim me policinë amerikane, i pandehuri Artan Kelmendi së bashku më Albert Veliun kishin arritur në parkingun e një restoranti në Klinë me një veturë të marrë më qira dhe nga bagazhi i saj kanë nxjerrë 6 armë të gjata “AK 47” dhe një karikator të zbrazët për armë të gjata.

KALLXO.com ka shkruar në vazhdimësi për këtë rast tani më të shënjestruar për liberalizim të vizave.