Foto: Ministria e Ambientit

Mbështetje për Ekonominë që nuk Ndot

I pranishëm në hapjen e këtij festivali ishte edhe ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, i cili i dha mbështetje kësaj nisme.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar që të mbështesë Kosovën në zhvillimin ekonomik dhe të bashkëpunojë dhe të bashkinvestojmë me kompanitë të cilat veprojnë në fushën e energjisë së ripërtërishme,” tha ambasadori Delawie.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Ferid Agani tha se ata që merren me produkte të energjisë së gjelbër ndihmojnë edhe ambientin, edhe punësimin.

“Është kjo një mundësi e cila ofron zhvillimin e fushave me ndikim të madh në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve tonë, por me një theks të veçantë me këtë rast investime në sektorin e teknologjive të cilat janë miqësore me mjedisin që mundësojnë zhvillimin e potencialeve ekonomike të vendit, veçanërisht në fushën e ekonomisë së gjelbër,” tha Agani.

Mbështetje dhe përkrahje institucionale bizneseve që merren me energji të ripërtërishme u dha edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

“Të tregojmë mbështetjen tonë institucionale, por edhe t’i prezantojmë planet dhe programet që ne jemi duke i bërë në mënyrë që t’u dalim në përkrahje bizneseve të cilat investojnë në këta sektorë të rëndësishëm, duke nxitur zhvillimin e tyre dhe duke ndihmuar në masë të konsiderueshme në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik si dhe duke krijuar vende të reja të punës,” tha ministri Stavileci.

Stavileci deklaroi se së shpejti do të lansohet Fondi për Efiçiencë të Energjisë nga i cili sipas tij do të kursehet energji dhe do të hapen 11 mijë e 850 vende pune.

Për herë të parë ky Fond ishte prezantuar në dhjetor të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/stavileci-fondi-per-eficience-te-energjise-nxit-zhvillimin-ekonomik

Festivali i Gjelbër është ndihmuar nga USAID-i si pjesë e nismës për të ndihmuar ndërmarrjet që promovojnë energji të ripërtërishme, mjedis afarist të gjelbër si dhe ndërgjegjësim të publikut lidhur me praktikat e qëndrueshme mjedisore.

Panairi do të jetë i hapur tri ditët e ardhshme, po mbahet për të 15-ën herë, ndërsa në të po marrin pjesë 50 kompani.