Mbesa e Kadri Veselit Punësohet pa Konkurs nga Agim Bahtiri

Në intervistën për “Drejtësia në Kosovë”,  ish drejtori i arsimit në Mitrovicë Pajazit Hajzeri ka theksuar së kryetari i kësaj komune, Agim Bahtiri ka emëruar Fitore Veselin pa konkurs në pozitën sekretare e shkollës në Shipol të Mitrovicës ndërsa ajo kishte marrë pagë “pa shkuar asnjë ditë në punë”.

“Emërimi i Fitore Veselit ka ardhur me vendimin e kryetarit të komunës Agim Bahtiri, një vendim qe e mandaton Veslin me fillu punën për tre muaj në shkollën “Fazli Greiçevci” mirëpo e njëjta asnjëherë nuk ka qenë punëtore e arsimit”, tha Hajzeri.

Fitore Veseli nuk ka pranuar të flasë para kamerës, por përmes telefonit tha për emisionin “Drejtësia në Kosovë” se punësimi i saj në këtë shkollë nuk është bërë pse ajo është mbesa e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk është e vërtetë që unë jam punësuar pse jam mbesa e Kadri Veselit. Edhe unë kam kryer shkollë për të punuar diku, e jo për të mbetur në shtëpi. Kur jam punësuar në Shkollën ‘Fazli Greiçevci’ i kam pasur disa probleme shëndetësore dhe nuk kam mundur ta vijoj punën. Unë nuk kam bërë asgjë të jashtëligjshme, sepse shkolla ka pasur nevojë dhe jam punësuar unë. Paga që e kam marrë nuk është ndonjë pagë e madhe, e kam marrë sepse kam punuar edhe në komunë dhe në muze. Pse jam punësuar pa konkurs në Shkollën ‘Fazli Greiçevci’ i kam plotësuar kushtet”, kishte thënë Veseli.

Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka thënë se nuk e ka ditur se është duke e punësuar mbesën e kryeparlamentarit Kardi Veseli dhe se këtë e kishte kuptuar vetëm pasi Fitore Veseli ishte pranuar në punë.

“Unë pasi e kam punësuar e kam kuptuar se Fitore Veseli është mbesa e Kadri Veselit… Rasti është mbret i botës”, thotë Bahtiri.

Naxhije Kurti, drejtoreshë e shkollës “Fazli Greiçevci” në Shipol të Mitrovicës, tha se Fitore Veseli në vendin e punës ka qëndruar vetëm 2 orë dhe është shokuar kur e ka parë në listën e pagave.

“Mua më ka brejtë pse mundet një njeri me ardhë me marrë të holla pa punuar asnjë ditë punë, kjo është e pa logjikshme për mua, e pafalshme”, tha drejtoresha Kurti.

Emisionin Drejtësia në Kosovë mund ta ndiqni të plotë në linkun e mëposhtëm