Mazllum Baraliu e Quan Veten Mik të Gjykatës

Mazllum Baraliu, ish-rektori Universitetit të Prizrenit, i akuzuar për shpërdorim detyre kërkoi nga gjykata të shpallet i pafajshëm.

“Duke qenë tërësisht i pafajshëm në këtë çështje juridike, i propozoj gjykatës jo vetëm si i pandehur, por edhe si një mik i saj dhe i së drejtës që të më lirojë nga aktakuza,” tha Baraliu pasi fjalën e tij përfundimtare e dorëzoi të shkruar.

Baraliu, që përveç ish-rektor është edhe jurist, bashkë me sekretarin e përgjithshëm Adem Sallauka dhe zyrtarin për buxhet e financa të Universitetit të Prizrenit Halim Haziraj akuzohen se larguan nga puna profesorin Enver Sopjani, edhe pse ai kishte kontratë të rregullt për mësimdhënie në universitet.

Prokurori Sefer Morina në fjalën e tij përfundimtare konstatoi se gjatë gjykimit është vërtetuar se të akuzuarit kanë bërë shpërdorimin e detyrës.

“Në tërësi konsideroj se është vërtetuar gjendja faktike në këtë çështje penale dhe vepra penale për të cilën akuzohen, ngase me veprimet e tyre të akuzuarit e kanë kryer këtë vepër penale,” tha prokurori Morina.

Morina më tutje kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Por Ilmi Zhitia, avokati i Mazllum Baraliut duke pretenduar se aktakuza nuk ka mundur ta vërtetojë bashkëpunimin mes të akuzuarve, e cilësoi aktin e ndjekjes me mangësi elementare.

“Nëse ka dikush që i bjen në fije kësaj aktakuze, sepse kjo aktakuzë nuk i përmban elementet të cilat i kërkon neni 241 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4,” tha Zhitia.

Ky nen i Kodit të Procedurës Penale sqaron se çfarë duhet të përmbajë një aktakuzë.

Edhe Fatmir Jëlliqi, avokati i Adem Sallaukës tha se aktakuza është ngritur bazuar në dyshime që nuk janë vërtetuar.

Avokatët e tre të akuzuarve kërkuan që të mbrojturit e tyre të shpallen të pafajshëm.

Aktgjykimi i këtij procesi gjyqësor do të shpallet sot pasdite.

Ish rektori i Universiteti të Prizrenit, Mazllum Baraliu, sekretari i përgjithshëm, Adem Sallauka dhe zyrtari për buxhet e financa, Halim Haziraj akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, prej muajit tetor 2011 deri në tetor 2013, si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare dhe autorizimet e tyre, ata nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare  duke i shkaktuar dëm profesorit të Universitetit, Enver Sopjani, të cilit ia kishin shkëputur marrëdhënien e punës.

Përkundër se i dëmtuari kishte kontratë pune si profesor të lëshuar nga Universiteti i Prizrenit, prej datës 10.06.2011 deri me 09.06.2014, të akuzuarit pasi ia kishin ndërprerë kontratën nuk e kishin zbatuar vendimin e Ministrisë së Arsimit i cili është definitiv në procedurë administrative.