Theresa May

May i hap rrugë zgjedhjes së kryeministrit të ri britanik

Kryeministrja britanike, Theresa May, pritet të japë sot dorëheqje nga pozita e udhëheqëses së Partisë Konservatore, ndërsa do të mbetet kryeministre teknike derisa të zgjidhet pasardhësi i saj.

Njëmbëdhjetë ligjvënës do të garojnë për kreun e konservatorëve – partisë në pushtet, e cila automatikisht prodhon edhe kryeministrin.

Procesi i përzgjedhjes do të nisë më 10 qershor.

May, 62 vjeçe, ka paralajmëruar dorëheqjen muajin e kaluar, pasi Parlamenti ia ka refuzuar tri herë marrëveshjen që ajo ka negociuar me Bashkimin Evropian për daljen e Britanisë nga blloku, apo Brexit-in.

May pritet të konfirmojë dorëheqjen në një letër dërguar Komitetit të Konservatorëve.

Ish-sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, mbështetës i zëshëm i Brexit-it, është favorit për të pasuar kryeministren May.

Në prill, BE-ja i ka dhënë Britanisë edhe gjashtë muaj kohë për të dalë nga blloku, me shpresën se ligjvënësit do të pajtohen për një marrëveshje.

Afati i ri për Brexit është 31 tetori.