“MAXI” në gjykatë për shitjen e mallrave të ndaluara tek fëmijët

Marketi ‘MAXI’, që është në pronësi të Gazmend Abrashit, këshilltarit tw Kryeministrit, do të përballet me gjykatën lidhur me shitjen e mallrave të ndaluara tek fëmijët.

Kjo pas transmetimit të hulumtimit të ‘Drejtësia në Kosovë’, që pasqyroi shkeljet e bëra nga ky market që lejoi shitjen e cigareve te të miturit.

Inspektorati i Tregut ka vepruar pas transmetimit të këtij emisioni dhe ka dërguar në gjykatë marketet e përfshira në hulumtim.

Kryeinspektori i Tregut, Lulzim Syla konfirmoi për KALLXO.com nisjen e procedurave.

“Ne i kemi dërguar në gjykatë të katër marketet. Gjykata e ka në dorë tash e tutje”, tha Syla.

Përfaqësuesi i kompanisë, Ibrahim Sekiraqa në kohën e zhvillimit të hulumtimit kishte thënë se nuk ka informata për këto shkelje.

“Ligjin mundohemi me e respektu maksimalisht. Udhëzimet i kanë edhe me shkrim . Deri sot nuk kam pranuar asnjë informatë që ka ndodhë. Nëse ju e dini krejt çka mundemi me bë është me marrë masa ndaj punëtorëve që nuk e kanë respektuar ligjin dhe rregulloren e kompanisë”, tha Sekiraqa

Emisioni ‘Drejtësia në Kosovë’, u transmetua më 25 janar të këtij viti.

 

https://kallxo.com/deshmi-ne-etc-viva-fresh-maxi-e-interex-femijet-blejne-duhan-e-alkool/

 

‘’Ky grant financohet nga Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjensioni Suedez për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida) dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).’’