Maxhuni e Lumezi Munguan në Ceremoninë e IPK-së

Në ftesën zyrtare e cila u ishte dërguar mediave IPK-ja kishte njoftuar se kryeprokurori Lumezi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë Maxhuni do ishin pjesë e kësaj ceremoni por në momentin kur u ndanë mirënjohjet për Maxhunin e Lumezin, ato i morën  përfaqësuesit e tyre.

I pyetur nga KALLXO.com për mungesën e drejtorit të policisë në këtë takim, drejtori i IPK-së Fitim Shishani tha se nuk e di arsyen.

“Sinqerisht nuk e di, ai ka obligimet e tij. Ishte zëvendësi i tij. Ne kemi dërguar ftesë, por me siguri ka qenë i zënë,” tha  Shishani.

Gjëra më me rëndësi si duket kishte edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksander Lumezi pasi që në ceremoni nuk ishte i pranishëm.

Në ceremoninë e organizuar nga Inspektorati i Policisë së Kosovës në sy ra edhe përshëndetja dhe cakërrimi i gotave në mes të zëvendësministrit të punëve të brendshme Valdet Hoxha me drejtorin e tanishëm të IPK-së Fitim Shishani.

Vite më parë Valdet Hoxha ishte larguar nga IPK-ja në shenjë pakënaqësie për disa vendime të kryeshefit  Shishani.

Lufta Që Nuk Inspektohet

Përndryshe, në ceremoninë e sotme kryeshefi Shishani përmendi shumë sfida të cilat sipas tij IPK i kaloi gjatë pesë vjetëve të menaxhimit të tij.

“Është moment krenarie, sepse detyra qe mora para pese vjetësh ka qenë e vështirë, me plot sfida, por gjatë gjithë udhëheqjes sime kam qenë i sigurt që të më shoqërojë drejtësia, vullneti e dëshira për të realizuar vizionin tim, misionin dhe detyrat tona në përpikëri për shtetin e Kosovës,” tha Shishani

Ai gjatë kësaj ceremonie tha se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe qytetarët, IPK-ja ka qenë dhe mbetet një institucion I përgatitur, profesional dhe objektiv në kryerjen e detyrave.

“Unë po ndahem nga një personel shumë kompetent, kompakt, me etikë e korrektësi maksimale në realizimin e misionit të tyre,” shtoi i pari i IPK-së.

Shishani tha se para tre vjetësh Inspektorati Policor I Kosovës ishte pa asnjë objekt, me pak identitet dhe se nuk kishte vizibilitet nga qytetarët, por gjërat kishin filluar të ndryshonin.

“Ne sot e dimë saktë se rezultatet dhe profesionalizmi ynë është rezultat edhe i mbështetjes së pakursyer të institucioneve ndërkombëtare që i potencuam më lart. Pra, është sukses i përbashkët,” tha Shishani.

Gjatë pesë vjetëve kur u drejtua nga Shishani, IPK-ja ka trajtuar 5318 ankesa, 300 raste të korrupsionit, 29 inspektime, ka ngritur 541 kallëzime penale, 3415 raste ka dërguar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale, ka kryer 92 arrestime, 222 suspendime të rekomanduara dhe 32 transferime.