Shefi i Pentagonit, James Mattis - Foto: Rtv21

Mattis: Turqia na Ka Njoftuar për Fillimin e Operacionit Kundër Kurdëve

Turqia ka njoftuar Uashingtonin se do të fillojë sulmet ajrore kundër njësive kurde në Siri, të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka deklaruar sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis.

Mattis tha se Turqia është e hapur dhe se Ankaraja ka njoftuar paraprakisht Uashingtonin për fillimin e operacioneve ushtarake.

Ai më tutje shprehu shpresën e tij se do të gjendet një zgjidhje për këtë situatë.

Turqia ka brenga legjitime të sigurisë, tha Mattis, duke shtuar se është ky vendi i vetëm anëtar i NATO-s, brenda të cilit ka forca aktive kryengritëse.

Ndërkohë, njësitë kryengritëse kurde në Siri njoftuan se forcat ajrore të Turqisë kanë bombarduar dy fshatra në afërsi të qytetit sirian, Afrin.

Sulmi u ndërmor në kuadër të ofensivës, të cilën Turqia e filloi javën e kaluar në veriperëndim të Sirisë.

Një zëdhënës i njësive kurde njoftoi se në rajonin e Afrinit janë duke u zhvilluar luftime të ashpra mes forcave demokratike kurdë dhe forcave pushtuese turke, siç i cilësoi ai./21Media