FOTO: Broshura, TC Kosova e Re, MZHE 2017

Matoshi: Pa teknologjinë e fundit të filtrave nuk japim leje për TC 'Kosova e Re'

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi gjatë aksionit “Ta pastrojmë Kosovën”, që është realizuar sot në Komunën e Obiliqit ka deklaruar se pa teknologjinë e fundit të filtrave nuk do të japin leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin ‘Kosova e Re’.

“Jemi të përkushtuar dhe të vendosur që pa teknologjinë e fundit të filtrave të mos japim leje ndërtimore dhe leje mjedisore për termocentralin Kosova e Re”, deklaroi ministri Matoshi.

Matoshi së bashku me kryetarin e Obiliqit, Xhafer Gashi kanë vizituar njërën nga deponitë ilegale të mbeturinave në  këtë komunë, e cila gjatë këtij aksioni është pastruar dhe do të shndërrohet në park për banorët e Obiliqit.

Me këtë rast, ministri Matoshi tha se Komuna e Obiliqit është prioritet i Qeverisë së Kosovës për shkak të ndotjes së ajrit që shkaktohet nga termocentralet.

“Jemi duke bashkëpunuar me KEK-un dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për vendosjen e filtrave të ri në Kosovën B. Është një donacion nga Komisioni Evropian mbi 70 milion euro dhe shpresojmë shpejt që do të vendosen filtrat në Kosovën B”, ka deklaruar Matoshi.

Matoshi po ashtu bëri të ditur se MMPH-ja është e fokusuar që të ndalojë edhe shitjen e thëngjillit në mënyrë ilegale.

Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, falënderoi ministrin Matoshi për mbështetjen e dhënë për përmirësim të mjedisit ndërsa tregoi se kjo komunë ka larguar 19 deponi ilegale.

“ Ne e kemi në fokus çështjen e ambientit në vazhdimësi, duke u bazuar që në komunën tonë janë ndotësit më të mëdhenj në Kosovë po mundohemi që deponitë inerte, deponitë ilegale t’i eliminojmë me qëllim që t’i shndërrojmë në pjesë të gjelbëruara”, deklaroi Gashi.

Aksionit për pastrimin e Komunës së Obiliqit, i është bashkëngjitur edhe drejtori i Shërbimeve të KEK-ut, Edmond Nulleshi si dhe vullnetarë nga organizata “Let’s do it Kosova”.

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, ka filluar më 15 shtator për të përfunduar më 15 dhjetor 2018.

Nënshkrimi i marrëveshjes 1.3 miliardë euro mes Qeverisë së Kosovës dhe Joseph Brandt, drejtorit ekzekutiv të kompanisë amerikane ‘Countur Global’ për ndërtimin e TC “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor 2017.

Në qershor të këtij viti, kompania amerikane ‘Contour Global’ ka hapur tender për ndërtimin e termocentralit të tretë në Kosovë të quajtur ‘Kosova e Re’.

Katër konsorciume tashmë kanë hyrë në garë për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.

Ofertuesit e para-kualifikuar për Inxhinierim, Projektim, Ndërtim dhe Mirëmbajtje për Projektin e Termocentralit “Kosova e Re” janë: 1. CMEC; 2. Një konsorcium i përbërë nga ENKA, Mitsubishi Hitachi Power Systems dhe Técnicas Reunidas; 3. Një konsorcium i kompanive të General Electric; dhe 4. Hyundai.

Pas shpalljes së procesit të ‘Përzgjedhjes Fillestare’ në qershor, gjashtë aplikime u pranuan dhe u vlerësuan nga Contour Global. Rezultatet dhe vendimin e ‘Contour Global’ e ka njohur Qeveria e Kosovës.

Gjatë fazës së parakualifikimin kanë aplikuar gjashtë kompani, mirëpo pas procesit të vlerësimit është arritur në përfundimin se katër prej këtyre janë parakualifikuar, të cilët i kanë plotësuar kriteret e larta teknike dhe financiare, si dhe i kanë ofruar letrat e financimit nga institucionet financiare.

Është parashikuar që në vitin 2019 do të vihet gurthemeli i termocentralit “Kosova e Re”.

https://kallxo.com/banka-boterore-nuk-e-perkrah-termocentralin-kosova-e-re/