Lutfi Haziri - Foto: REL/Official publication

Matoshi: Lutfi Haziri, një ndër rrënuesit në tentativë të Kosovës së 17 Shkurtit

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, e ka sulmuar kryetarin e Gjilanit dhe nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin, duke e quajtur “një nga ideatorët e cenimit të Kosovës së 17 shkurtit”.

Reagimi i Matoshit vjen pas deklaratave të të parit të Gjilanit rreth idesë së presidentit Hashim Thaçi për “korrigjimin” e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Për Hazirin Halil Matoshi thotë se është një nga këshilltarët e presidentit Thaçi në turrin antikushtetues për hapjen e çështjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, në raport me Serbinë, për çka, sipas tij, estabilishmenti serb u angazhua plot 11 vjet.

“Serbia bashk me Sputnik-un, me mjete politike dhe shumë para plot 11 vjet ndërtoi pozicionin e vet, se qysh t’i nxisë shqiptarët e Kosovës që mos t’i besojnë pavarësisë së shpallur më 17 shkurt dhe të konfirmuar nga GjND – pra t’i shtyjë që vet ata ta hapin 17 shkurtin!?”, ka shkruar në një koment në Facebook këshilltari i Haradinajt.

“Luta, siç i thonë votuesit e tij, e ka çmistue ‘Shefin’, siç i thotë ai Presidentit, për korrigjimin e kufirit dhe do të mbetët si një ndër rrënuesit në tentativë të Kosovës së 17 shkurtit.

Ai paguhet nga taksat tona për një post kushtetues dhe retorika e tij bie ndesh me atë Kushtetutë!?”, ka shtuar Halil Matoshi.

Një ditë, sipas tij, dikush duhet të mbajë përgjegjësi politike e historike, por edhe penale për ndërmarrje antikushtetuese.

Ky është postimi i plotë i Halil Matoshit:

Lutfi Haziri, një nga ideatorët e cenimit të Kosovës së 17 shkurtit

Lutfi Hazirit po thotë se kjo Qeveri bjen bashkë me taksën!?

Qeveria mundet me ra në demokraci kurdo që mocioni përkrahet nga 61 vota në Kuvend, por vallë taksa ndaj produkteve të Serbisë pse iu ka pikë Lutës që të hiqet!???

Sepse, po e parandalon ndarjen e Kosovës, sipas hartave të tij turbofolk mentale!?

Lutfi Haziri është një nga këshilltarët e Presidentit Thaçi në këtë çështje, në turrin antikushtetues, për hapjën e çështjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, të Republikës së Kosovës, në raport me Serbinë, për çka estabilishmenti serb u angazhu plot 11 vjet!?

Serbia bashk me Sputnik-un, me mjete politike dhe shumë para plot 11 vjet ndërtoi pozicionin e vet, se qysh t’i nxisë shqiptarët e Kosovës që mos t’i besojnë pavarësisë së shpallur më 17 shkurt dhe të konfirmuar nga GjND – pra t’i shtyjë që vet ata ta hapin 17 shkurtin!?

Qe eventualisht të shpërbëhet entiteti juridik-politik i quajtur shteti kosovar, në emër te do farë zgjidhjeve jonormative e kreative, që në thelb, e bëjnë Beogradin t’i fërkojë duart.

Luta, siç i thonë votuesit e tij, e ka çmistue ‘Shefin’, siç i thotë ai Presidentit, për korrigjimin e kufirit dhe do të mbetët si një ndër rrënuesit në tentativë të Kosovës së 17 shkurtit.

Ai paguhet nga taksat tona për një post kushtetues dhe retorika e tij bie ndesh me atë Kushtetutë!?

Një ditë, dikush duhet me mbajtë përgjegjësi politike e historike, por edhe penale për ndërmarrje antikushtetuese (Neni 1; 1.2 dhe 1.3.)