Matoshi flet për hidrocentralet dhe laurat në hyrje të parqeve nacionale

Ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi sot ka raportuar para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor lidhur me hidrocentralet dhe problemet tjera mjedisore të shfaqura ditëve të fundit rreth vendosjes së laurave në hyrje të parqeve kombëtare e sidomos atë të Rugovës.

Ministri Matoshi para Komisionit tha se gjendja e hidrocentraleve nuk është e pranueshme dhe nuk ka studime për kapacitete të mirëfillta të kapaciteteve ujore.

“Asnjë hidrocentral në Kosovë nuk ka leje mjedisore dhe për Ministrinë e Mjedisit asnjë nuk është legal, janë të pajisur me leje të tjera por asnjëri prej tyre nuk e ka lejen mjedisore që është hapi i fundit për fillimin e punës. Por asnjë punë nuk fillon në ministrinë tonë dhe institucionet e tjera komunale po ju japin pëlqimet investitorëve e që pastaj po krijohen problematika mes banorëve e të tjerëve e që pastaj gishti po drejtohet padrejtësisht kah ne, Ministria”, tha ai.

Ministri Matoshi ka kërkuar që në mbledhjet e ardhshme të jenë të pranishëm edhe përfaqësues të ZRrE-së për shkak se janë rregullator dhe mund të ndalojnë punën e ndonjë investitori.

Poashtu Matoshi tregoi që vetëm një hidrocentral në Kosovë tashmë ka aplikuar për leje mjedisore.

Në takimin e fundit të këtij komisioni ministri Matoshi ishte e planifikuar të raportonte për këtë temë, por për shkak të problematikës së eksploatimit të zhavorrit nga gurthyesit ishte shtyrë për mbledhjen e sotme.

https://kallxo.com/ministri-rrezikimin-e-jetes-se-banoreve-te-qirezit-nga-gurthyesi-e-kam-kuptuar-nga-mediat/

 

Ministri Matoshi lidhur me shqetësimet e banorëve të Rugovës për vendosjen e laurave tha se janë disa arsye pse është marrë një vendim i tillë.

“Për laurat është Kuvendi i Kosovës i cili na ka dhënë kompetencë neve menaxhimin e parqeve nacionale. Janë tri arsye që kemi vendosur që të vendosim laura në Rugovë e parqe nacionale: Parandalimi i prerjes ilegale i drunjve; Ndërtimet pa leje në parqe nacionale dhe ndalimin e gjuetisë ilegale sepse kemi një numër të madh speciesh që janë në rrezik zhdukjeje. Nuk ka lidhje me pagesa dhe ne jemi siguruar që të gjithë banorët që kanë prona dhe familjarët e tyre të mos paguajnë. Në të ardhmen ndoshta do të paguajmë për të parë ato bukuri një shumë të vogël të hollash”, tha Matoshi.

Në raportimin e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor para komisionit, deputeti Sali Zyba ka bërë disa pyetje për ministrin Matoshi rreth gjendjes së hidrocentraleve.

Ndër shumë pyetjet e tjera Zyba ka pyetur Matoshin se sa është koha që një investitor përkatësisht kompani mund të bëjë teste për hidrocentrale pasi ata gjatë kësaj kohe i shfrytëzojnë resurset natyrore pothuajse në periudha afër tri vjeçare.

Kryesuesi i komisionit, Muharrem Nitaj ka kërkuar nga deputeti Sali Zyba që të mos bëjë shumë pyetje.

“Ky nuk është komision hetimor por funksional, nuk ki nevoje me i bo 500 pyetje e me e marrë krejt kohën e komisionit si deputet i vetëm”, tha Nitaj.

Pas kësaj ministri Matoshi ka thënë se nuk është kompetencë e MMPH që të caktojë kohën e testimeve dhe as të ndalë operimin e ndonjë investitori.

Ndërsa  për hidrocentralin në Pejë edhe rezolutën e kuvendit komunal të Pejës.

“Komuna e Pejës nuk ka ma dërguar zyrtarisht vendimin e KK Pejë, e kam parë sipërfaqësisht në një takim dhe e kam njoftuar kryetarin se nuk mund ta ndalë operimin e kompanisë me rezulutë. Ne e kemi vetëm vendimin e vitit 2011 që ja lejon”, tha Matoshi.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka treguar se kompanisë Kelkos, ZRrE ia ka ndaluar operimin kompanisë Kelkos për prodhimin dhe shitjen e rrymës.

Unë kam lexuar në media se këtë veprim e ka marrë zyra e rregullatorit, po ju tregoj se nuk jam njoftuar zyrtarisht, por vetëm nga mediat

“Zyra e rregullatorit është ajo që mundet me ndalë operimin e një investistori për periudhën testuese, me sa e di unë është gjashtë muaj. ZRrE nga informacionet që kam unë në Deçan e ka larguar operimin e një kompanie për prodhimin dhe shitjen e rrymës dmth e ka ndalë operimin e Kelkosit, kjo ka ndodhur pasi unë ju kam drejtuar zyrtarisht me shkresë për dëmet që i ka shkaktuat në Lumbardh të Deçanit”, tha Matoshi.