Matoshi e nis punën si ministër me rregullimin e shtratit të lumit në Skenderaj

Ministri i ri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e Skenderajt, Bekim Jashari, kanë përuruar fillimin e punimeve të projektit për rregullimin e shtratit të lumit Klina, projekt i financuar nga MMPH.

Gjatë vizitës në Skenderaj, ministri Matoshi tha se projekti për rregullimin e shtratit të lumit Klina do të ketë ndikim pozitiv për qytetarët e kësaj komune.

“Për mua është nder i veçantë që ditën e parë të punës sime, tanimë si ministër, ta filloj në komunën e Skenderajt. Lumi Klina që ne këtë vit e mbështesim financiarisht në vlerë prej 200 mijë euro, do të ketë ndikim në disa aspekte, do t’i parandalojë vërshimet, do të ruajë biodiversitetin dhe do t’ia kthejë një pamje shumë të mirë lagjes ‘Spahiu’ në Skenderaj”, citohet të ketë thënë Matoshi.

Sipas njoftimit, Matoshi ka thënë se dikasteri që ai drejton është duke mbështetur edhe projekte të tjera në komunën e Skenderajt.

“Rregullimi i shtratit të  lumit Klina nuk është projekti i vetëm në Skenderaj. MMPH-ja është duke mbështetur edhe katër projekte të tjera në këtë komunë në shumë të përafërt prej 1 milion euro”, tha ministri Matoshi.

Ndërsa kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari falënderoi ministrin Matoshi për mbështetjen e dhënë në investime të projekteve në këtë komunë.

“Ky është një projekt i rëndësishëm që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbështetur komunën tonë dhe qytetarët tanë”, tha Jashari.

Sipas komunikatës së MMPH-së, kjo ministri është duke mbështetur komunën e Skenderajt në projektin e kyqjes individuale në ujësjellës për 12 fshatra, rregullimin e kanalizimit fekal në Skenderaj, rrjetin e kanalizimit në Prekaz-Mikushnicë, Skenderaj dhe ndërtimin e kanalizimit në fshatin Runik – Skenderaj.

Sot është dita e parë e punës së ministrit Fatmir Matoshi i cili deri dje ishte ushtrues i detyrës së ministrit së MMPH-së.

https://kallxo.com/kryeministri-haradinaj-emeron-minister-fatmir-matoshin/

www.kallxo.com