Foto: Ilustrim

Mashtron viktimën duke i kërkuar 20 mijë euro për ta njohur me një grua

Prokuroria e Gjilanit ka kërkuar paraburgimin e një person të dyshuari i cili ka mashtruar një person tjetër me para në vlerë 20 mijë e 850 euro.

Prokuroria në Gjilan, duke dhënë detaje për rastin, ka njoftuar se i dyshuari B. H., që nga data 14 janar deri më 9 prill në Gjilan, me anë të paraqitjes së rreme, duke fshehur faktet për të përfituar para, ka mashtruar viktimën N. H.

Sipas njoftimit të prokurorit, i dyshuari ka vënë në lajthitje viktimën duke i propozuar se do t’a njohë me një  grua, ku edhe i’a ka dhënë numrin e telefonit, me arsyetimin se është i gruas në fjalë.

Sipas Prokurorisë,  viktima në këtë numër ka biseduar vetëm  dy herë drejtpërdrejtë me të, ndërsa më pas të gjitha bisedat janë zhvilluar përmes sms-ve, kinse me gruan e propozuar, mirëpo në realitet biseda është zhvilluar me të dyshuarin.

Për secilën bisedë, prokuroria ka njoftuar se i dyshuari  ka marrë nga viktima shuma të ndryshme të parave, me pretekst se do t’ia japë gruas së propozuar, duke i premtuar se do t’i takojë për të krijuar lidhje.

Prokuroria në Gjilan ka njoftuar se i dyshuari  e ka mashtruar viktimën duke i shkaktuar dëm material në vlerë 20 mijë e 850 euro.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata kompetente në Gjilan, që të dyshuarit B. H., t’ia caktojë masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, pasi dyshohet se përmes mashtrimit ka përfituar 20 mijë e 850 euro, i cili edhe gjendet në ndalim 48 orësh.