MAShT: Rritja e numrit të studentëve të Mjekësisë, është interes nacional

Miratimin e kërkesës së Senatit të Universitetit të Prishtinës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, për rritjen e numrit të studentëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë, Ministria e Arsimit e konsideron politikë me interes nacional.

Në një përgjigje për KALLXO.com, këshilltari i ministrit, Valmir Gashi ka thënë se Ligji për Arsimin e Lartë, i jep kompetencë MAShT-it që në bashkëpunim me bartësit e akredituar, të bëjë planifikimin për zhvillimin e arsimit të lartë, duke përfshirë këtu edhe numrin e studentëve.

Ai tha se MAShT ka miratuar këtë kërkesë për rritjen e numrit të studentëve, për arsye se konsideron se është çështje me rëndësi kombëtare.

”Duhet theksuar që për këtë çështje ka qenë e njoftuar edhe KSHC-ja, e cila parimisht ka qenë edhe dakord. Arsyeja bazë që MAShT e ka miratuar në afat të shkurtër kohor kërkesën e Rektoratit, ka qenë që studentët aplikantë ta kapin datën e provimit pranues në Universitetin e Prishtinës”, ka thënë këshilltari politik i ministrit Bytyqi.

KALLXO.com sot ka publikuar lajmin se Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi ka marrë vendim për rritjen e numrit të studentëve, në dy programe të Fakultetit të Mjekësisë.

Ky vendim është marrë për këtë vit akademik dhe vlen për studentët e nivelit Bachelor.

“Mjekësi e përgjithshme, prej 150 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 75 studentë të rinj; Infermieri prej 50 studentë sa ka aktualisht, të rritet edhe për 59 studentë të rinj”, thuhet në vendimin e ministrit Bytyqi.

Në arsyetim thuhej se ky vendim ishte marrë, duke u bazuar në kërkesën e Senatit të Universitetit të Prishtinës, për rritjen e numrit të studentëve të rinj në këto dy degë, si dhe në kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për rritjen e numrit të studentëve të rinj, duke u bazuar në gjendjen dhe nevojat aktuale.

Ndërkohë që nënkryetarja e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, Vjollca Krasniqi deklaroi për KALLXO.com se vendimi i ministrit për rritjen e numrit të studentëve, është ndërhyrje politike.

Ajo kishte shtuar se e vetmja mënyrë për rritjen e numrit të studentëve, ishte përmes rekomandimit nga raporti i ekspertëve.

“Kjo është ndërhyrje politike e ministrit në punën e KShC-së, KShC e ka diskutuar këtë kërkesën në mbledhjen e 15 korrikut, dhe ka marr vendim që të sjellë ekipin e ekspertëve për të vlerësuar programin dhe kërkesën për rritjen e numrit të studentëve, pasi që një vendim i tillë merret vetëm në bazë të raportit të ekspertëve. Me këtë vendim, ministri e ka tejkaluar Këshillin Shtetëror të Cilësisë si institucion i vetëm legjitim për akreditim dhe sigurim të cilësisë në arsimin në Kosovë”, kishte thënë Krasniqi.

Me 9 korrik të këtij viti, ministri Bytyqi kishte takuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Dekanen e Fakultetit të Mjekësisë në UP, Suzana Manxhuka-Kërliu, për të diskutuar kërkesën e tyre për rritjen e numrit të studentëve në dy programe studimore.

https://kallxo.com/ministri-rrit-numrin-e-studenteve-te-mjekesise-ne-up-kshc-e-quan-intervenim-politik/