MAShT nuk i komenton kërkesat e rektorëve, thonë se KShC është institucion i pavarur

Rektorët e gjashtë universiteteve publike, me 21 janar të këtij viti i dërguan letër kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi për të kërkuar shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe shfuqizimin e vendimeve të tyre në tërheqjen dhe refuzimin e akreditimeve të programeve studimore.

KALLXO.com kishte kërkuar nga ministri Bytyqi që të komentoi kërkesat e këtyre rektorëve, meqenëse letra i ishte drejtuar edhe atij si ministër, por edhe për faktin se në atë letër akuzohej se kishte ndikuar politikisht në vendimet e KShC-së.

Këshilltari politik i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi ka thënë për KALLXO.com se nuk mund të komentojnë çështjet që kanë të bëjnë me KShC-në.

Ai tutje theksoi se nuk mund ta bëjnë këtë sepse KShC është institucion i pavarur.

“Çdo kush që konsideron se i është bërë ndonjë e padrejtë, mund t’i drejtohen Këshillit.”, ka deklaruar ai.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për procesin e akreditimit të programeve studimore për universitetet publike dhe ato private.

KSHC kishte reaguar ndaj kësaj letre të rektorëve duke deklaruar se vendimet e tyre janë të bazuara në ligjin dhe rregulloret përmes të cilave janë rregulluar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.

Me 24 janar rektorët e universiteteve publike u takuan me Komisionin parlamentar për arsim ku edhe kërkuan që të përmbushen kërkesat e tyre ndaj vendimeve dhe punës së KSHC-së, ndërsa me 25 janar ky komision  u takua edhe me anëtarët e KSHC-së ku diskutuan rreth arsyeve që sollën tërheqjen e atyre programeve.

 

https://kallxo.com/terhiqet-akreditimi-i-74-programeve-ne-universitete/?fbclid=IëAR2R7UIKzMaptNETËfvDEyeKuQ-aqnsyMglnymZ_YsruaVF0KLfosdYOz5U