MAShT ia Hedh Komunës Përgjegjësinë për Nxënësit e Ngujuar
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami ka bërë thirrje që Komuna e Deçanit të veprojë konkretisht drejt ofrimit të shkollimit normal për katër fëmijë që kanë bojkotuar mësimin këtë vit.
KALLXO.com ka raportuar dje për fatin e katër fëmijëve të famijes Lushaj nga Komuna e Deqanit, në të cilën ka ndodhur vrasje e dyfishtë në mes të anëtarëve të saj.
Që nga vrasja e vëllezërve Ramaj, Rexhepit e Bujarit, në Shaptej të Deçanit, më 25 gusht të këtij viti, familja Lushaj është mbyllur në shtëpi duke mos pasur mundësi që t’i dërgojë fëmijët në shkollë.
http://kallxo.com/frika-nga-hakmarrja-le-kater-femije-te-lushajve-pa-shkolle/
Hysni Lushaj, babai i fëmijëve të cilët nuk janë duke vijuar mësimin që nga shtatori i këtij viti, ka kërkuar që të bëhet zgjidhje sa më e shpejtë për këtë problem.
“Fëmijëve të mi me ju gjetë një zgjidhje me vazhdu procesin mësimor. Me ju ofru siguri fëmijëve të mi, me pasë fëmija e mi siguri me shku në shkollë edhe me vazhdu shkollën sikur krejt fëmija e tjerë”, thotë ai.
Megjithatë , Ministri Bajrami ka thënë se MAShT nuk mund të veprojë në këtë drejtim sepse kompetencat i ka tërësisht komuna.
“Kjo është një kompetencë ekskluzive e Kryetarit të Komunës dhe ai menjëherë duhet ta vizitojë këtë familje, duhet të punojë me palët dhe duhet t’u ndihmojë këtyre nxënësve që të shkojnë në shkollë sepse ky është një relikt i së kaluarës. Është diçka që nuk do duhej të ndodhë në shoqërinë kosovare”, tha Bajrami.
Ai kërkoi nga kryetari I komunës, Rasim Selmanaj, të tregojë lidership.
“Ne kërkojmë prej tij që të merret me këtë çështje dhe të nxjerrë këta fëmijë nga ky izolim i panevojshëm. Kryetari i Komunës duhet të tregojë lidership, duhet ta vizitojë këtë familje, duhet ta vizitojë edhe palën tjetër dhe të tregojë që gjakmarrja është një mbeturinë kanunore”, deklaroi ai.
E në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj deklaroi se ende nuk kanë zgjidhje konkrete për këtë problem dhe po shpresojnë në mirëkuptim nga familjet.
“E kemi një situatë që dihet por se di kush mundet me marrë përgjegjësi për ata fëmijë me viju mësimin kur janë në hasmëri. Kemi bërë përpjekje dhe po shpresoj se familja e dëmtuar do të ketë mirëkuptim që këta fëmijë të vazhdojnë mësimin por ekziston edhe rreziku tjetër që fëmijët e dy familjeve të kenë probleme në të njejtën shkollë. Nëse nuk vjen deri të mirëkuptimi nga familja Rama do të bëjmë një zgjidhje”, tha Selmanaj.