MASHT e "Microsoft" synojnë digjitalizimin e arsimit të Kosovës - Foto: KALLXO.com

MASHT dhe ‘Microsoft’ Synojnë Digjitalizimin e Arsimit

Për të modernizuar procesin e mësimdhënies hartuesit e politikave të arsimit, udhëheqësit e divizioneve arsimore si dhe mësimdhënësit do të trajnohen për përdorimin e programeve të “Microsoft”-it.

Kështu u tha sot në inaugurimin e qendrës inovative në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Kjo qendër është fryt i bashkëpunimit të MASHT-it, “Microsoft”-it dhe Ministrisë së Administratës Publike.

Me këtë rast, “Microsoft” ka dhuruar 20 tabletë dhe 5 laptopë.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, e vlerësoi këtë projekt si tejet të nevojshëm duke marrë parasysh kërkesat e shekullit për mësimdhënës modernë.

“Mësimdhënia e shekullit 21 dhe mësimdhënësi i shekullit 21 nuk mund të imagjinohen dhe të mendohen pa shkathtësi të përdorimit të teknologjisë së informacionit sepse ne duhet sot të demonstrojmë metoda të reja të mësimdhënies”, konstatoi Bajrami.

Ndërsa, Ljupco Georgiev, drejtor i kompanisë “Microsoft” për Kosovë dhe Maqedoni, foli rreth aktiviteteve që do të mbahen me qëllim të modernizimit të sistemit arsimor në Kosovë.

“Gjatë periudhës në vazhdim ne do ta mbështesim një cikël të aktiviteteve të ndryshme në fushën e trajnimeve, demonstrimeve dhe prezantimeve të eventeve demonstruese të Microsoft-it duke mundësuar mësimdhënie dhe mësimnxënie të shekullit 21”, tha Georgiev.

Ndërkaq, Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike e konsideron këtë projekt si hap në avancim kombëtar drejt tregut global.

“Bazuar në faktin se inovacioni dhe teknologjia e informacionit janë vendimtare në hapjen e mundësive të reja që rrisin konkurrencën dhe avancojnë prioritetet kombëtare, atëherë si shtetet tjera edhe shteti ynë do të synojë të mbajë dhe forcojë aftësitë e saj për konkurrencë në treg global”, deklaroi Yagcilar.

Sipas ministrit Arsim Bajrami, projekti i quajtur “Microsoft ShowcaseClassroom”, do të fillojë si pilot-projekt fillimisht në 100 shkolla por me plane për zgjerim.