Objekti i Ministrisë së Arsimit

MAShT ankohet për sulme dhe rrjedhje dokumentesh në rrjete sociale

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në një komunikatë për media ka deklaruar se kjo ministri “është kthyer në një arenë sulmesh, shantazhesh, presionesh e çka jo tjetër nga katalizatorë të së keqes e dezinformimit”.

Tutje thuhet se këto po ndodhin si pasojë e vendosmërisë së ministrit Shyqiri Bytyqi për të bërë reforma të domosdoshme.

“Në lidhje me rrjedhjen e dokumenteve nga dikasteri ynë, sygjerimin ynë është që askush nga ju nuk ka nevojë të përdorë linja joformale për të ardhur te cilido dokument. Të tillë keqbërës, mendojnë e provojnë të përfitojnë nga impakti i juaj që keni në opinion për të realizuar qëllimet e tyre të ulëta. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është e hapur dhe nuk ka dokument që mund ta ndalë dikush për mediat te ne.”, thuhet në komunikatë.

MAShT thotë se ka disa javë që një faqe në rrjetin social Facebook, me emrin “Arsimi në Kosovë”, është përpjekur ta godasë atë me informacione të pavërteta.

“Faqja nuk është më, por krijuesit e saj po, madje duke u marrë me organet e drejtësisë, jo vetëm për këtë rast, por, edhe për vepra tjera penale, duke ndërhyrë në llogaritë bankare për të sponsorizuar trillime të tilla dhe ky është krim!”, vazhdon komunikata.

Mes tjerash thuhet se “reforma e filluar po jep frytet e para, duke mos lënë anash frustrimet me të cilat përcillet çdo reformë, të cilat edhe ne i mirëkuptojmë, por synimi për një të ardhme më të mirë për rinjtë tanë është mbi të gjitha”.