Masë Transferi për Shefin e Sigurimit të Kuvendit

Shefit të sigurimit të Kuvendit të Kosovës,  Fatmir Sheqirit i është shqiptuar masë transferi.

Ai nga puna e tij paraprake është bartur në stacionin jugor të Prishtinës.

Këtë e konfirmoi  për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani i cili tha se kjo masë është shqiptuar afërsisht dy javë më parë.

Në seancën e djeshme të Kuvendit, ku opozita në disa raste përdori gaz lotsjellës për të penguar punën e legjislativit, Kadri Veseli tha se “shefi i sigurimit ka koketuar bashkë me opozitën”.

“Realisht unë po e bëj këtu paraprakisht të ditur derisa ne të gjithë jemi munduar t`i ndalim, vetë shefi i sigurimit të cilin e kemi pasur këtu në Kuvend ka koketuar së bashku me opozitën dhe askush nuk ka marrë……shefi i sigurimit në Kuvend ka koketuar me opozitën, le të dihet kjo transparente-organet tona kanë qenë të njoftuara dhe është dashur dy muaj ditë për me e largu të njëjtin njeri … Nuk është në rregull,” tha dje Veseli.