Konferenca rreth martesave të hershme. Foto: Kallxo.com

Martesat e Hershme, Shqetësim për Komunitetet Rom, Ashkali e Egjiptas

Një hulumtim i bërë nga “The Ideas Partnership” për fenomenin e martesave të hershme të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas në komunën e Fushë Kosovës tregon shkallë të lartë të martesave të hershme, nën 18 vjeç, ndër pjesëtarët e këtyre komuniteteve.

Nga 502 respondentë, 292 ose 58 për qind prej tyre kanë qenë të gjinisë femërore dhe 210 ose 42 për qind të gjinisë mashkullore.

Sipas hulumtimit të “The Ideas Partnership”, një person rezulton i martuar në moshën 12 vjeçare, 7 persona në moshën 13 vjeçare, 33 persona në moshën 14 vjeçare, 71 persona në moshën 15 vjeçare, 71 persona në moshën 16 vjeçare ndërsa 86 pjesëtarë të këtyre komuniteteve rezultojnë të martuar në moshën 17 vjeçare.

Kurse nga mosha 18 deri në 24 vjeç janë martuar 223 persona dhe nga mosha 25 deri në 30 vjeç janë martuar 10 persona.

Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e organizatës “The Ideas Partnership” e cila është aktive në komunën e Fushë Kosovës qe 7 vite ka thënë që ky hulumtim ka nxjerrë të dhëna shumë shqetësuese.

“Ky hulumtim është diçka që na ka motivuar të gjithëve për të bërë diçka sepse ky fenomen është shkatërrues për një komunitet por edhe për një shoqëri”, është shprehur Gowing.

Ligji për Familjen i Republikës së Kosovës thekson se “Personi i cili nuk ka mbushur moshën 18 vjeçare nuk mund të lidhë martesë”. Në bazë të këtij ligji, gjykata mund të lejojë martesat e personave më të vjetër se gjashtëmbëdhjetë vjeç në bazë të disa kushteve, pra nëse konstatohet se personi i tillë ka arritur pjekurinë e nevojshme fizike dhe psikike për të ushtruar të drejtat e veta martesore dhe për të përmbushur detyrimet martesore.

Vërehet dallim në mes të gjinive të respondentëve sa i përket martesave nën moshën 18 vjeçare. Sipas të gjeturave 65 për qind e femrave kanë deklaruar se kanë lidhur martesë nën këtë moshë. Ndërsa 38 për qind e gjinisë mashkullore e kanë pohuar se kanë krijuar lidhje martesore nën moshën 18 vjeçare.

Vlora Gashi, vullnetare në “The Ideas Partnership”, gjithashtu pjesëtare e komunitetit, ka dalë vullnetare për të bërë hulumtimin për fenomenin e martesave të hershme në Fushë Kosovë. Ajo tregoi për përvojën e saj duke thënë se si fillim nuk janë pranuar mirë nga komuniteti në Fushë Kosovë për shkak se nuk është ditur se kush e ka nisur këtë iniciativë.

“Kur i kemi garantuar se të dhënat personale nuk do të publikohen ata na kanë pritur më ndryshe. Unë ndihem shumë keq kur e di se pjesëtarë të komunitetit tim martohen shumë herët. Shpresoj që ne si shoqëri kemi me u mundu me bo ndryshime”, ka potencuar Vlora Gashi.

Nga të gjithë të anketuarit, 157 ose 31 për qind prej tyre kanë thënë se e kanë kryer shkollën fillore, 71 ose 14 për qind janë përgjigjur se janë me shkollë të mesme, 146 ose 29 për qind pa shkollë, 121 ose 24 për qind nuk e kanë të kryer shkollën fillore, 6 ose 1 për qind me shkollë të lartë dhe 1 ose 0 për qind me magjistraturë.

Në pyetjen se “A e keni vazhduar arsimimin pas martesës?” është parashtruar me qëllim që të kuptohet se sa të rinjtë e kanë vazhduar arsimimin pas martesës. Sipas rezultateve 99 për qind e respondentëve e kanë ndërprerë arsimimin dhe vetëm 1 për qind e tyre e kanë vazhduar shkollën.