Marsh Kundër Dhunës Ndaj Gruas

Me moton “Një Miliard në Këmbë”, një grup qytetarësh kanë marshuar në kryeqytet, duke bërë thirrje që askush të mos e tolerojë dhunën ndaj grave.
Grupi i aktivistëve ka marshuar nga Teatri Kombëtar deri në sheshin “Zahir Pajaziti”.

 

Adelina Berisha nga “Rrjeti i Grave të Kosovës” tha se kjo është iniciativë që po organizohet që disa vjet në Kosovë, e që ka për qëllim ta ndalë dhunën ndaj grave.
“Fatkeqësisht ka pasur edhe raste kur gratë kanë përfunduar edhe me fatalitet. Në anën tjetër Kosova e ka një infrastrukturë ligjore që u ndihmon viktimave të dhunës në familje. E kam fjalën specifikisht për dhunë në familje, ndërsa sa i përket formave të tjera të dhunës, sikur ngacmimi seksual, shumë më pak është bërë në këtë aspekt në Kosovë”, tha ajo teksa tregoi se “Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës” e ka realizuar një hulumtim, i cili tregon se 48 për qind e grave janë viktima të ngacmimit seksual dhe 68 për qind janë viktima të dhunës në familje.

 

Sipas saj, ekzistojnë procedurat standarde të operimit për të gjitha institucionet që janë përgjegjëse t’u ofrojnë ndihmë. Po ashtu, Adelina Berisha thotë se ekzistojnë edhe strehimoret, por ka hapësirë për përmirësime në këtë drejtim.
“Statistikat globale tregojnë se çdo e treta gru është viktimë e ndonjë forme të dhunës. Këto statistika qëndrojnë edhe për Kosovën” tha Berisha.

“Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës”, OJQ-të “Artpolis” dhe “Girls Coding Kosova” përmes fushatës “Një Miliard në Këmbë” po synojnë vetëdijësimin e masës se dhuna ndaj gruas nuk duhet të tolerohet.
Llogaritet se që nga 14 shkurti 2013, një miliard gra dhe burra në gjithë botën marshuan kundër dhunës ndaj grave. [interaction id=”56c09caa3c42ab681c9567cc”]