Drejtori i ARC-së, Bekim Hoxha dhe kryetarja e Odës së Noterëve, Arbena Shehu, nënshkruajnë marrëveshjen - Foto: Facebook

Marrëveshje për Shkëmbimin e të Dhënave

Agjencia për Regjistrim Civil (ARC) e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Oda e Noterëve e Republikës së Kosovës nënshkruan sot marrëveshje për shkëmbim të të dhënave.

Sipas drejtorit të përgjithshëm të ARC-së, Bekim Hoxha, dhe kryetares së Odës së Noterëve, Arbena Shehu, kjo marrëveshje do të krijojë procedura lehtësuese për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet tyre.

“ARC dhe ONK do të krijojnë Procedura Standarde të Operimit për këmbimin e shënimeve përmes të cilave do të definohet lloji i të dhënave dhe do të shkëmbehen në nivelin teknik të këmbimit të informatave”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në bazë të marrëveshjes mundësohet qasja në bazën e të dhënave, marrja e informacioneve nga Baza e Ndërmjetme e ARC-së,  Regjistri i Automjeteve me qëllim të verifikimit apo vërtetimit të identitetit dhe gjendjes civile, palëve të interesuara për marrjen e këtyre shërbimeve, si dhe verifikimin e këmbimit  të të dhënave për automjetet të cilat janë objekt i shitblerjes.

Kjo marrëveshje përcakton kushtet në të cilat ARC u ofron të dhënat zyrave noteriale në kuadër të Odës së Noterëve.

Sipas njoftimit të MPB-së, të dhënat e lexuara nga zyrat noteriale duhet të përdoren në pajtim me këtë marrëveshje dhe duhet të trajtohen në pajtim me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Edhe Projektligji i ri i Noterisë, i cili është duke u shqyrtuar në Kuvendin e Kosovës, parasheh që noterët të kenë qasje në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim Civil.

Me këtë marrëveshje dhe me Projektligjin e ri që pritet të kalojë në Kuvend, noterëve do t’u mundësohet qasje në të dhëna që do t’u ofrojnë siguri më të madhe juridike qytetarëve të Kosovës.

Kjo marrëveshje do të ketë ndikim direkt edhe në të drejtat pronësore të grave të cilat në disa raste janë cenuar nga trashëgimtarët burra që nuk i deklarojnë të gjithë trashëgimtarët.

Lidhur me këtë problematikë kishte raportuar edhe KALLXO.com vitin e kaluar.

http://kallxo.com/noteret-dhe-gjykatesit-nuk-mund-ti-verifikojne-trashegimtaret/

Në këtë drejtim edhe raporti i BIRN-it për të drejtat pronësore të grave, i publikuar në korrik të vitit të kaluar, kishte rekomanduar që noterëve dhe gjyqtarëve t’u mundësohet qasje direkte në regjistrat e ARC-së.

Raporti per te drejtat pronesore

Redaktoi: Naser Sertolli