Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Marrëveshje për Pranim Fajësie me të Akuzuarin për Terrorizëm

Një marrëveshje për pranimin e fajësisë është arritur mes prokurorit special Abdurrahim Islami dhe të akuzuarit për terrorizëm, Arian Alija.

Marrëveshja është paraqitur në seancën fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelorë në Prishtinë.

Më këtë marrëveshje i akuzuari pranon fajësinë për veprën penale për të cilën Prokuroria e ka akuzuar, ndërsa prokurori pajtohet që gjykatës t’i rekomandojë që të akuzuarit Gjykata t’i shqiptojë dënimin prej 2 vjet e gjysmë burg, në të cilin do të llogaritet edhe qëndrimi në paraburgim.

Sipas aktakuzës, Arian Alija dhe Artan Kadriu akuzohen se nga data e pacaktuar e muajit mars të vitit 2016 i janë bashkuar grupeve-formacioneve të jashtme paraushtarake të përfshira në luftën e Sirisë dhe në momentin kur nga shteti i Sirisë janë kthyer në Turqi janë ndaluar më datën 21 maj 2016 nga autoritetet turke së bashku me disa persona të tjerë dhe më 31 maj janë ekstraduar në Kosovë përmes Aeroportit të Prishtinës.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – bashkim apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, paraparë me Ligjin për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

I akuzuari Arian Alija pas leximit të aktakuzës tha se mbetët pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë të paraqitur në Gjykatë. Këtë deklarim të tij e mbështeti edhe avokati i tij, Ymer Osaj, i cili propozoi që procedura ndaj të mbrojturit të tij të veçohet.

Ndërsa i akuzuari Artan Kadriu nuk u deklarua se a ndihet fajtor apo jo. Këtë mosdeklarim kryetarja e trupit gjykues, Valbona Selimaj, e mori si mospranim të fajësisë.

Gjyqtarja pastaj mori vendim që të veçohet procedura për të akuzuarin Arian Alijaj dhe të mbahet seancë e veçantë për shqyrtimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Po ashtu, kryetarja e trupit gjykues e njoftoi avokatin e të akuzuarit Artan Kadriu se brenda 30 ditësh e ka mundësinë të paraqesë kundërshtimin e aktakuzës.

Seanca është shtyrë për afat të pacaktuar.