Marrëveshje për Ndihmë Juridike Falas në Rastet Penale

Misioni i OSBE-së në Kosovë ishte sot nikoqir i një ceremonie në të cilën përfaqësues të Këshillit Gjyqësor, Këshillit Prokurorial, Policisë dhe Odës së Avokatëve nënshkruan marrëveshje me të cilën themelohet një mekanizëm koordinues për ndihmën juridike falas në rastet penale.

Marrëveshja parasheh themelimin e mekanizmit funksional për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjet penale në mes të palëve nënshkruese, për të siguruar dhe ofruar shërbime efektive dhe profesionale të mbrojtjes gjyqësore me shpenzime publike.

Ndihma juridike falas do t’u sigurohet atyre qe nuk kanë mundësi të kenë qasje, nëse kjo është e nevojshme.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger duke folur për memorandumin që u nënshkrua, tha se do të themelohet një njësi në Odën e Avokatëve që merret me këtë çështje.

“Me anë të këtij memorandumi do të rregullojmë edhe punën e pagesës, institucionet do të do të paguajnë vetëm për shërbimet e bëra”, tha Schlumberger.

Nehat Idrizi, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, tha se përfaqësimi ligjor falas në Kosovë është i paraparë me Kushtetutë si  e drejtë themelore, e cila garanton një gjykim të drejtë dhe të paanshëm.

“Agjensia ofron ndihmë juridike në lëmitë civile, penale juridike, administrative për të gjithë qytetarët për shkak të mungesës së burimeve materiale nuk kanë mundësi të marrin përfaqësim ligjor falas në mënyrë që të gjithë të kenë qasje të barabarte në drejtësi”, tha Idrizi.

Ndërsa Shpend Maxhuni, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, tha se kjo iniciativë ndihmon institucionet relevante që të koordinohen dhe t’i përmbushin obligimet ligjore ashtu siç e parasheh Ligji për Mbrojtjen e Qytetarëve.

“Është shumë me rendësi që tash në kuadër të kësaj marrëveshje janë të cekuara të gjitha obligimet që dalin për agjensionet që nënshkruajnë këtë marrëveshje. Observimi që ka bërë OSBE do të ndihmojë në masë të madhe përmbushjes së obligimeve që i ka Policia e Kosovës në koordinim edhe me institucionet tjera ” tha Maxhuni.

Ndërsa Blerim Isufaj, kryesues i Këshillit Prokurorial, tha se dokumenti i nënshkruar sot paraqet një mekanizëm te rëndësishëm koordinues për mbrojtje gjyqësore.

“Ne synojmë që me këtë marrëveshje të realizojmë mbrojtjen me ligjin e aplikueshëm në Kosovë dhe instrumentet ndërkombëtare, si dhe të sigurojmë shërbime efektive dhe profesionale në mbrojtjen gjyqësore me shërbime publike”, tha Isufaj

Osman Havolli nga Oda e Avokateve tha se me këtë marrëveshje institucionet nënshkruese obligohen të veprojnë sipas ligjit.