Nënshkrimi i marrëveshjes mes MPMS-së dhe UNDP-së, Foto: MPMS
Marrëveshje MPMS- UNDP, 270 punëkërkues përfitojnë nga programet aktive të tregut të punës
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) në bashkëpunim me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), mbajti ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në mes të përfituesve të programeve aktive të tregut të punës, ku do të përfitojnë 270 punëkërkues.
Ministri i MPMS-së, Skender Reçica me këtë rast përgëzoi të rinjtë që kanë përfituar nga ky program, duke shtuar se punësimi i të rinjve është prioritet kryesor i MPMS-së.
“Si MPMS po punojmë në shumë drejtime dhe në disa programe. Një nga pikat programore të Qeverisë është edhe punësimi i një anëtari të secilës familje që nuk e kanë asnjë të punësuar dhe në këtë drejtim ne po punojmë shumë që këtë pikë programore ta bëjmë realitet. Për këtë jam duke u angazhuar shumë edhe personalisht”, ka thënë Reçica.
Po ashtu, ai tha se krahas masave aktive të tregut të punës, MPMS po angazhohet shumë edhe në arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal me disa vende të BE-së, duke premtuar se së shpejti do të kemi lajme të mira në këtë drejtim.
Reçica ka falënderuar punëdhënësit e sektorit privat për mundësinë që kanë ofruar, që përmes programit të subvencionimit në pagë dhe praktikës në punë, do të përfitojnë 270 persona.
Ministri Reçica falënderoi UNDP-në duke premtuar se MPMS do të bashkëpunojë edhe në projekte tjera në kuadër të masave aktive të tregut të punës duke thënë se shumë shpejt do të kemi edhe ftesën për programet e vetëpunësimit, e cila është një mundësi e re për të rinjtë e te rejat që përmes ndërmarrësisë do të krijojnë vende punë për veten e tyre, por edhe për të tjerët.
Ndërkaq, zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo uroi të gjithë përfituesit e programit duke thënë se përmes kësaj skeme, UNDP po synon të realizojë disa objektiva rreth punësimit.
“Së pari të ofrojmë mundësi punësimi për punëkërkuesit e rinj të cilat kanë vështirësi të hyjnë në tregun e punës dhe të bëjnë hapat e duhur në karrierë, ndërsa objektivi i dytë është, që të ofrojmë mundësi për zhvillimin e bizneseve, duke mbështetur rritjen e numrit të të punësuarve, duke pasur parasysh vështirësitë që ballafaqohen kompanitë private në angazhimin e stafit profesionist adekuat për aktivitetet biznesore”, deklaroi ajo.
Roccasalvo tha se brenda disa javësh, do të festohet Dita Botërore e Aftësive Rinore, ku shumë të rinj do të kenë një mundësi të mirë për zhvillimin e aftësive të tyre edukative dhe arsimore.
Me këtë rast ajo ka falënderuar MPMS-në dhe Agjencinë e Punësimit për bashkëpunimin e mirë dhe si rezultat i këtij partneriteti këtë vit janë përzgjedhur 270 të rinj në skemën e subvencionimit në paga dhe praktikës në punë.