Marrëveshje Dy Milionëshe për Arsimin e Lartë në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Shërbimi Botëror Universitar WUS Austria, sot kanë nënshkruar marrëveshje për administrimin e grantit për bashkëfinancimin e projektit “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkenca e Aplikuar”.

Me këtë rast, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi tregoi se kjo marrëveshje ka koston financiare prej 2 milion euro në të cilën kontribuues është edhe vet MASHT-i.

“Aktualisht me këtë marrëveshje ne i kemi 1 milion e 800 mijë euro që na ndihmojnë organizatat e shtetit të Austrisë dhe 200 mijë kemi kontribuar ne sot me marrëveshjen e nënshkruar. Por, kjo është fillimi, ne duhet akoma më shumë të kemi kosto dhe buxhet shtesë, por kjo do të shkoj në varësi se sa ne arrijmë të zhvillohemi”, tha ministri Bytyqi.

Ai tha se qëllimi i kësaj marrëveshjeje është që institucionet e Arsimit të Lartë të ndihmohen në krijimin e Instituteve Hulumtuese dhe në zhvillimin e hulumtime shkencore.

“ Krejt kjo po ndihmon jo vetëm Universitetit e Prishtinës, por qëllimi është që të gjitha institucionet e arsimit të lartë të ndihmohen, të krijohen Institutet Hulumtuese dhe të zhvillohet ajo pjesë që neve më së shumti na ka munguar nëpër institucionet tona, hulumtimi”, tha ministri.

Bytyqi tha se problematika kyçe është mungesa e fillimit të hulumtimeve shkencore në Kosovë dhe mos anëtarësimi në organizata ndërkombëtare që na mundësojnë praktikë në hulumtime.

I pari i Arsimit tha se marrëveshja mes MASHT-it dhe organizatës “WUS Austria” përkrah studentët që janë pjesë e doktoratës dhe pjesë e specializimeve të post doktoratës.

Ndërsa përfaqësuesja e “WUS Austria”, Veronica Nitsche, tha se projekti HERAS ka për qëllim hulumtimin dhe shkencat e aplikuara që sipas saj ndërlidhen me rendësin e arsimit të lartë dhe tregut të punës.

“Çdo gjë ka të bëjë me bashkëpunimin. Po të mos ishte Ministria që t’i hapte dyert e bashkëpunimit, ne nuk do të mund të bënim këtë punë që e bëjmë tani”, tha Nitche.

Ajo falënderoi ministrin Bytyqi për këtë bashkëpunim që kanë zhvilluar me projektin “HERAS- Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkenca e Aplikuar”.