Atifete Jahjaga dhe Hashim Thaçi gjatë dorëzim-pranimit të detyrës Foto: ZPRK

Marrëveshja e Thaçit me NATO-n u bë fshehtas Komandantes Supreme

Ish presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga nuk ka qenë fare e informuar për marrëveshjen e ish kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me sekretarin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, ndonëse sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës ajo ishte Komandante Supreme.

Më 19 prill 2013, në cilësinë e kryeministrit, Hashim Thaçi i garantonte Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të veprojnë në veri të vendit, pa u marrë vesh me KFOR-in.

Mirëpo, edhe në 2013 edhe tash, Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura të Kosovës është Presidenti i Republikës.

Në 2013, presidente ishte Atifete Jahjaga. Kjo e fundit e ka konfirmuar për KALLXO.com, se asnjëherë nuk ka qenë e informuar për këtë marrëveshje. Madje, Jahjaga thotë se kjo nuk i është përmendur asnjëherë as nga përfaqësuesit e NATO-s apo KFOR-it.

“Lidhur me pyetjen e juaj, unë dhe stafi im nuk kemi qenë të informuar për këtë korrespondencë me NATO-n, apo për marrëveshje që FSK-ja nuk hyn në veri pa marrëveshje me KFOR-in. Edhe në takimet që i kemi pas me KFOR apo me NATO kjo çështje kurrë nuk është përmendë as që jam informuar sepse po të isha informuar kisha reagu”, ka thënë për KALLXO.com, Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës.

Gati 7 vjet më vonë, kjo letër u publikua nga kryeministri Albin Kurti, që thotë se e siguroi përmes një zyrtarë të lartë të NATO-s.

Marrëveshja përmes këtyre dy letrave mes Thaçit dhe sekretarit të NATO-s, për të mos e lejuar FSK-në të shkelë në veri, ishte kryer më 19 prill 2013, në ditën kur ishte nënshkruar edhe marrëveshja për Asociacionit e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Këtë këmbim të letrave, Albin Kurti po e cilëson si shkelje të Kushtetutës, andaj edhe ka nisur inicimet për të shkarkuar Hashim Thaçin nga pozita e presidentit.

Në krejt këtë situatë, ku po akuzohet për marrëveshje sekrete, Hashim Thaçi po rri i qetë dhe po ndjek agjendën e tij në ShBA.

Pas publikimit të shkresave nga ana e kryeministrisë, Thaçi njoftoi publikun se po vazhdon takimet në Amerikë.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Kryeministri Albin Kurti tha se letërkëmbimi mes Hashim Thaçit dhe sekretarit të NATO-s, thotë se kjo letër mund të jetë kërkuar nga Serbia.

“Për neve është me rendësi që ta marrim vesh se kush e ka kërkuar një gjë të tillë, ne nuk besojmë që Brukseli e ka kërkuar një gjë të tillë, mund ta ketë kërkuar Serbia por kjo është një gjë që duhet të shqyrtohet”, tha gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti.

Këtu mund ta gjeni letër-këmbimin e Hashim Thaçit me sekretarin e NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

Në lidhje me këtë marrëveshje që u publikua rreth 7 vjet më vonë, kryeministri Albin Kurti e ka njoftuar vet presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin si dhe kryeprokurorin Aleksandër Lumezi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013.