Marrëveshja e pëlqimit për ndërtimin e hidrocentraleve në Lumbardh është e kontrabanduar

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri në emisionin “Jeta në Kosovë” ka treguar se si asamblistët komunalë janë “mashtruar” për të nënshkruar marrëveshjen, e cila ka dalë të jetë pëlqim nga Komuna.

“Në dhjetor të vitit 2012 është kontrabanduar në asamblenë komunale në Pejë një propozim që atëherë asamblistëve ju është thënë se është studim fizibiliteti për mundësinë e ndërtimit në Lumbardh, në realitet është nxjerrë vendimi për dhënien e pëlqimit për ndërtimin e këtyre pesë hidrocentraleve në Lumbardhin e Pejës dhe fatbardhësisht kanë ardhë zgjedhjet e vitit 2013 dhe në fund të 2013-ës”, ka thënë Muhaxheri.

Më tej, Muhaxheri ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ka qenë e kundërligjshme për shkak se është nënshkruar vetëm dy ditë para balotazhit.

“Në zgjedhjet në Komunën e Pejës, i preferuari i kompanisë Kelkos ka humb në rundin e parë dhe dy ditë para balotazhit është nënshkruar marrëveshja në mes të Kelkos Energy dhe kryetarit të Pejës për vazhdimin e këtij projekti. Ligji e ka ndaluar atëherë që gjashtë muaj para skadimit të mandatit kryetari mundet me nënshkru çfarëdo marrëveshje dhe pas përfundimit të këtyre procedurave si kryetar i komunës kanë kontaktuar me mua kjo kompania Kelkos dhe është mundu me shty projektin. I kam thënë që ky projekt nuk mundet me kalu se është kontrabandu në asamblenë komunale, është i dëmshëm për Komunën e Pejës, nuk përfillë asnjë procedurë ligjore dhe i kam dërgu edhe zyrës së rregullatorit të energjisë, ministrit të Planifikimit Hapësinor dhe MZHE një shkresë, në të cilën thuhet se plani zhvillimor komunal ndalon çfarëdo ndërtimi në Lumbardh”, ka shtuar ai në emisioni “Jeta në Kosovë”.

Në këtë debat marrin pjesë: Fatmir Matoshi, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; Valdrin Lluka, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës; Afrim Ajvazi nga ZRrE; Adriatik Gacaferi nga shoqëria civile dhe Viktor Berishaj, hulumtues.

www.kallxo.com