Takimi i kryeministrit Haradinaj me homologun malazez, Dushko Markoviq - Foto: ZKM

Markoviq: Me Kosovën duhet intensifikuar bashkëpunimin ekonomik dhe politik

Kosova dhe Mali i Zi kanë treguar korrektësi sa i përket bashkëpunimit ndërshtetëror, është thënë në një takim mes kryeministrit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi.

“Ne jemi të përkushtuar që ky bashkëpunim të vazhdojë dhe kemi një agjendë të njëjtë, që do të jetë rruga jonë evropiane”, tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit homologun malazez, Dushko Markoviq.

“Kryeministrin e Malit të Zi e përgëzova për zgjedhjen e presidentit të ri, Milo Gjukanoviq. Jemi të lumtur që ky vend zgjodhi një president që ka aspirata të njëjta me vendin tonë, familjen evropiane dhe miqësinë e përhershme me SHBA-të. Vizioni ynë si Kosovë është që të thellojmë raportet miqësore, fqinjësore, ekonomike dhe politike me Malin e Zi. Ky vend ka treguar gatishmëri ta ndihmojë Kosovën në proceset tejet të rëndësishme nëpër të cilat ka kaluar vendi”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Siç njofton Zyra e kryeministrit, për kryeministrin Markoviq, Kosova mbetet një nga vendet me të cilat duhet intensifikuar bashkëpunimi ekonomik dhe partneriteti politik, fusha këto për të cilat Mali i Zi do të përkushtohet që të avancohen, derisa mbështet Kosovën në rrugën e saj evropiane.

Kryeministri i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, diskutuan edhe për projektet e përbashkëta infrastrukturore, rrugën që lidhë Kosovën me Malin e Zi, për hekurudhën që përshkon Bjello Polen – Berane – Pejë, për mbështetjen e komunitetit malazez në Kosovë dhe atij shqiptarë në Malin e Zi dhe shumë projekte të tjera të rëndësishme për të dyja vendet./21Media