Mariana Kotzeva, drejtoresha e parë grua e Eurostat, Foto: Eurostat

Mariana Kotzeva, Gruaja e Parë në Krye të Eurostat

Mariana Kotzeva, ish-drejtuese e Institutit Kombëtar të Statistikave Bullgare, është emëruar në krye të agjencisë së statistikave të Bashkimit Evropian, Eurostat.

Ekonomistja dhe ekspertja bullgare e statistikave, Mariana Kotzeva është emëruar Drejtore e Përgjithshme e Eurostat, zyrës statistikore e BE-së, tha të mërkurën Komisioni Europian.

Kotzeva nuk është vetëm bullgarja e parë që bëhet Drejtore e Përgjithshme brenda Komisionit Evropian, por është gjithashtu gruaja e parë që kryeson Eurostat.

65-vjeçarja me doktoraturë në Statistika dhe Demografi nga Universiteti i Ekonomisë Kombëtare dhe Botërore në Sofje ishte drejtore e Përgjithshme i Eurostat nga 1 janari i vitit 2017.

Ajo u bashkua me Eurostat si këshilltare speciale në vitin 2012, duke u bërë zëvendësdrejtore e përgjithshme e saj në vitin 2014. Para kësaj, ajo drejtoi Institutin Kombëtar të Statistikave Bullgare, NSI, nga viti 2008 deri në vitin 2012.

Ndërkaq Kotzeva ka marrë pjesë në projekte të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare të Bankës Botërore, BE-së, UNDP-së dhe administratës bullgare.

Ajo ka një listë të gjatë specializimesh nga e gjithë bota. Arritja e saj më e madhe në Bullgari ishte kryerja e regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, i cili lejoi bullgarët ta plotësonin atë në internet për herë të parë, me 42 për qind të njerëzve që e zgjedhin këtë metodë.

Kotseva, e cila vjen nga qyteti i Ruse, pranë Danubit, ka studiuar matematikë në shkollën e mesme në Baba Tonka.

Ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Evropës Qendrore në Budapest, si profesoreshë e jashtme në departamentin e Ekonometrisë. Ajo flet rrjedhshëm frëngjisht, anglisht dhe rusisht.

Në vitin 2012, ajo u emërua si gruaja e nëntë bullgare më me ndikim në renditjen javore të “Capital” në Bullgari.