Maria Suokko, Foto: UNDP

Maria Suokko emërohet përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë

Maria Suokko nga Finlanda është emëruar Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë dhe ka filluar punën sot, më 17 qershor 2019.

Pas emërimit në këtë pozitë, Suokko the se ajo po e merr këtë detyrë në një moment shumë të rëndësishëm pasi zyra po shënon 20 vjetorin e bashkëpunimit të suksesshëm në Kosovë.

“Me padurim pres që të takoj të gjithë partnerët tanë kosovarë dhe ndërkombëtarë dhe të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta në mbështetjen e rrugës së zhvillimit që do të sigurojë një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë”, citohet të ketë thënë ajo.

UNDP ndër të tjerash bën të ditur se Suokko e zëvendëson Alessandra Roccasalvo, e cila ka qenë në këtë detyrë nga 1 janari 2019.

“Para emërimit në këtë detyrë, Suokko ishte këshilltare e lartë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës në Helsinki që nga shtatori 2017. Ajo gjithashtu shërbeu si Udhëheqëse për Bashkëpunim pranë MPJ të Finlandës në Mianmar (2014-2017) dhe Këshilltare e Lartë në MPJ të Finlandës (2012-2014)”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, përvoja e saj me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përfshin postin e Specialistes të Programit në Byronë Rajonale për Azi dhe Paqësor (2006-2010), Ndihmës Përfaqësuese e Përhershme në UNDP Kinë (2001-2005), Menaxhere e Programit Mjedisor të UNDP-së në Kamboxhia (2000- 2001) dhe Zyrtare e Programit në UNDP Tajlandë (1998-2000).

Maria Suokko ka diplomë të nivelit Master në Shkencat Sociale (Ekonomi) nga Universiteti i Helsinkit.

“Përveç gjuhës finlandeze, Maria gjithashtu flet anglisht, suedisht, si dhe deri në një masë, frëngjisht dhe gjermanisht. Asaj i pëlqejnë shëtitjet në natyrë dhe pret me padurim të eksplorojë natyrën e bukur në Kosovë dhe më gjerë”, njofton UNDP-ja.