Ndërtesa e Qeverisë - Foto: REL

Marëdhëniet SHBA- Kosovë, ekzagjërim apo realitet?

Refuzimi i kryeministrit Ramush Haradinaj për të pezulluar taksën doganore ndaj mallrave serbe, ka bërë temë diskutimi raportet e Kosovës me vendet që i konsideronte si mike, përkatësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pavarësisht pengesave që Serbia i ka vendosur për Kosovën, taksa 100 përqind po shihet edhe si pengesë për dialog.

Përkundër kësaj, Haradinaj nuk ka ndryshuar qëndrimin e tij, gjë që ka çuar në pezullimin e bisedimeve në Bruksel.

Kjo ka bërë që edhe ShBA të përsërisë disa herë kërkesën e saj për pezullim të përkohshëm të taksës, në mënyrë që të vazhdojë dialogu Kosovë – Serbi.

E dëmtimi i raportit me ShBA-në, për njohës të politikës po shihet realitet e për disa ekzagjerim.

Njohësi i zhvillimeve politike, Ramush Tahiri thotë se prishja e marrëdhënieve me ShBA-në është një realitet që po ndodh.

Sipas tij, vendi duhet të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, teksa shton se e sheh të arsyeshme pezullimin e taksës me Serbinë.

Edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se çështja ka marrë përmasa serioze.

Refuzimi që edhe në të ardhmen të mos reflektohet në pezullimin e taksës, sipas tij, do t’i cenonte raportet në veçanti me ato vende me të cilat Kosova ka partneritet strategjik dhe historik.

Ndryshe mendon profesori universitar, Mazllum Baraliu. Ai ka thënë për KosovaPress se nuk ka vend për shqetësim sa i përket marrëdhënieve mes Kosovës dhe Amerikës.

Megjithatë, ai ka theksuar se presioni që po i bëhet Kosovës është i padrejtë, pasi i njëjti nuk po i bëhet edhe Serbisë që të kthehet në tavolinën e bisedimeve.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës më 21 nëntor të vitit të kaluar kishte rritur taksën doganore për 100 përqind për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që importohen në Kosovë, ku përkundër kërkesave të ndërkombëtarëve për pezullim të saj, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj nuk ka lëshuar pe. Kjo, edhe përkundër përçarjes brenda strukturave politike, që të hiqet së paku përkohësisht kjo taksë e vënë ndaj mallrave serbe.