Maratona ligjore për të drejtat e grave në pronë

Një varg rregullash të ndryshuara në Ligjin për Trashëgiminë dhe Ligjin për Familje, kanë dhënë rezultate të vogla në trajtimin e shpejtë te çështjet ku gratë kërkojnë të drejtat e tyre në trashëgimin e pronës.

Studimet tregojnë se vetëm rreth 16 % e pronave të paluajtshme në Kosovë janë të regjistruara edhe në emër të grave.

Ndikimi i traditës por edhe pasiguria juridike vlerësohen si shkaktarët e dekurajimit të grave për të zotuar pronë.

Ndryshimet ligjore të kryera në Ligjin e Trashëgimisë dhe atë të Familjes ka shpejtuar procedurat e zgjidhjes së trashëgimisë dhe pronës në procedurë jo-kontestimore apo procedurën ku palët nuk kanë kundërshtime në mes tyre.

Problemet nisin kur palët i drejtohen gjykatave për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mes tyre.

Trajtimi i një lënde kontestuese nga gjykatat e vendit zgjatë mesatarisht 8 vite ndërsa në çështjet civile ku bëjnë pjesë rastet e pronave çështjet mund të zgjasin edhe më shumë se dekada.

Afërdita Statovci është një grua e cila për 14 vite pareshtur e kërkoi të drejtën e saj në trashëgimi.

Prej vitit 2006 e deri në vitin 2019, lëndën e Afërditës e kanë gjykuar rreth 16 gjyqtarë ndërsa në fund Afërdita është dorëzuar për ta zgjidhur çështjen me marrëveshje për shkak të procedurave të stërzgjatura gjyqësore. Procedurat është duke i pritur edhe rast i Shyhrete Berishës, i cili pret më shumë se 15 vite zgjidhjen nga gjykatat.

Me procese që zgjasin me dekada gratë janë të dekurajuara të nisin betejat ligjore ndërsa  institucionet duhet të ndërmarrin masa që çështjet të prioritizohen dhe përfundohen në afate të shpejta.

Për një kohë të gjatë BIRN ka monitoruar proceset kontestimore ku gratë kanë bërë padi për t`i realizuar të drejtat në pronë, ndërsa të gjeturat tregojnë që Ligji për Procedurën Kontestimore nuk ka afate të përcaktuara brenda të cilave ato do zgjidheshin me shpejtësi.

Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës nenin Neni 31, është e paraparë që çdo person ka të drejtë për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm duke nënkuptuar të drejtën e palëve për një gjykim të drejtë dhe të arsyeshëm në kohë.

Një gjë e tillë është e paraparë edhe me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku është paraparë shume qartë se çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht, publikisht dhe brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e krijuar me ligj, e cila do të vendosë si për mosmarrëveshjet në lidhje me të drejtat dhe detyrimet e tij të natyrës civile, ashtu edhe për besueshmërinë e çdo akuze penale në ngarkim të tij.

Zgjatja me mbi 10 vite e çështjes përpos që po shkel Kushtetutën, po shkel edhe parimet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Zgjidhja do të ishte në rast se me Ligjin për Procedurën Kontestimore, parashihet që rastet nga kontestet pronësore ku pjesëmarrëse janë gratë të trajtohen me urgjencë.

Dispozitat e Ligjit të Procedurës Kontestimore kanë paraparë rregullat e përgjithshme dhe të veçanta të zgjidhjes së rasteve.

E në rastet kur vlerësohet se në kontestet me veçori të posaçme, dispozitat e përgjithshme për zgjidhjen e rasteve nuk mund të jenë instrument adekuat, për zgjidhjen e tyre nga gjykata, Ligji i Procedurës Kontestimore ka paraparë dispozitat e veçanta në bazë të të cilave zhvillohen procedurat e posaçme. Disa nga këto procedura të posaçme ekzistojnë për shkak të llojit të raporteve materiale juridike, kurse disa të tjera si pasojë e rëndësisë shoqërore të cilën e kanë raportet e tilla

Shembull ashtu  siç janë rastet e trajtimit të qështjeve nga marrëdhënia e punës, ku ligjvënësi e ka paraparë që këto raste duhet të trajtohen me prioritet dhe që Gjykatat duhet të vendosin me urgjencë në vendosjen lidhur me to.

Me nenin 475 të Ligjit të Procedurës Kontestimore është e paraparë që në kontestet nga marrëdhënia e punës, e sidomos me rastin e caktimit të afateve dhe konvokimit të seancave gjyqësore, gjykata gjithmonë do të ketë parasysh nevojën e zgjidhjes së ngutshme të kontesteve nga marrëdhënia e punës.

Një gjë e tillë do të mund të parashihej edhe për rastet e kontesteve pronësore, subjekt i të cilave janë gratë.

Shembull tjetër janë edhe afatet në zgjidhjen e kontesteve tregtare.

Për shkak të natyrës urgjente të kontesteve tregtare, me Ligjin për Procedurën Kontestimore janë paraparë afate më të shkurtra për ndërmarrjen e veprimeve të caktuar procedurale.

Si p.sh: (1) afati prej  shtatë (7) ditësh për përgjigje në padi;  (2) afati prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh për  paraqitjen e propozimit për kthimin në gjendjen e mëparshme nga neni 130 paragrafi 3 i këtij ligji; (3) afati prej  shtatë (7) ditësh për ankesën kundër aktgjykimit apo aktvendimit; (4) afati prej  tri (3) ditësh për paraqitjen e përgjigjes në ankesë;  (5) afati prej shtatë (7) ditësh (afati paritiv) për përmbushjen e detyrimit në të holla, për përmbushjen e premtimit jo në të holla, gjykata mund të caktoj afat më të gjatë.

 

Disiplinimi i gjykatësve

Ndonëse në praktikën tonë gjyqësore çdo ditë hasim në raste gjyqësore të cilat kthehen me disa herë në rigjykim, siç janë rastet e Afërdita Statovcit, Shukrije e Shyhrete Berishës, asnjë nga gjyqtarët tanë nuk mbanë përgjegjësi se pse disa herë me radhë u prishen lëndët.

Madje përkundër numrit të madh të rasteve që kthehen në rigjykim, gjyqtarët tanë gjatë vlerësimit të performancës po dalin të jenë shembullor.

Nga të dhënat e pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se për vitin 2019 prej gjithsej 40 gjyqtarë sa i janë nënshtruar vlerësimit të performancës, asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me vlerësim “të dobët”, apo vlerësim të “mirë”, prej numrit të përgjithshëm, 34 gjyqtarë kanë rezultuar “shumë mirë”, ndërsa gjashtë gjyqtarë kanë rezultuar “shkëlqyeshëm”.

Rekomandohet që gjatë vlerësimit të performancës së gjyqtarëve, rastet ku trajtohet e drejta e grave në pronë të jenë pjesë e vlerësimit të tyre, vetëm në këtë mënyrë konsiderojmë që do të mund të kishte një ndikim pozitiv tek gjyqtarët që këto lëndë t’i trajtojnë më me prioritet dhe seriozitet në të njëjtën kohë.

 

Rritja e numrit të Gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit

Sipas të dhënave të pranuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, vitin 2019 gjykatat e vendit e kanë filluar me mbi 222 mijë lëndë të pazgjidhura.

Situata më kritike është evidentuar në Gjykatën e Apelit, për çka është raportuar se janë afër 12 mijë lëndë të pazgjidhura, kryesisht të natyrës civile, ndërsa më alarmant ka qenë fakti se në këtë Gjykatë ende ka lëndë të pazgjidhura që po presin në radhë qysh nga viti 2014.

Aktualisht, secili nga 28 gjyqtarët e Gjykatës së Apelit që shqyrtojnë lëndët civile është i ngarkuar me minimalisht 700 lëndë. Gjykata e Apelit i ka gjithsej 51 gjykatës. Kjo e dhënë qartazi pasqyron pamjaftueshmërinë e instancës së dytë të drejtësisë për t’i dhënë përgjigje kërkesës së qytetarëve për gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë këtij viti kishte kërkuar 35 milionë euro, për menaxhimin e duhur të Gjyqësorit, por në buxhetin e miratuar për vitin 2020 i janë ndarë vetëm 29.8 milionë euro.

Sikur Këshillit Gjyqësor të Kosovës t’i ndahej buxheti i kërkuar do të ishte e mjaftueshme ta dyfishonte në tërësi numrin e gjyqtarëve që merren me çështje civile.

Edhe në vitin 2017, KGjK kishte kërkuar 27 milionë euro ndërsa i ishin ndarë rreth 22 milionë, në vitin 2018 ishin kërkuar rreth 25 milionë euro ndërsa i ishin ndarë 23 milionë e gjysmë, në vitin 2019 janë kërkuar 33 milionë euro ndërsa i janë ndarë vetëm 29 milionë e gjysmë.

Shumica e mjeteve të kërkuara nga KGjK e që nuk janë aprovuar parashiheshin për paga dhe pozita të reja në KGjK.

Pas kërkesës së KALLXO.com, Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se përpos që nuk i janë aprovuar 170 vende pune shtesë, atyre u janë larguar edhe 168 pozita të cilat kanë qenë të parapara në vitin 2019.

Përkundër se me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me ligjet respektive të Këshillave, pavarësia financiare e KGjK-së dhe KPK-së nuk do të duhej as të diskutohej, në praktikë rezulton se ende propozimet për buxhet të KGjK-së dhe KPK-së, kalojnë përmes Ministrisë së Financave drejt Kuvendit të Kosovës, dhe se kërkesat buxhetore të Këshillave nuk përmbushen.

Në rast të aprovimit të kërkesave të gjyqësorit parashihej se që do të zgjidhej një problem i madh në gjithë këtë kolaps të sistemit të drejtësisë, çka parashihej se me shtimin e numrit të gjyqtarëve do të përgjysmohej numri i lëndëve dhe kohëzgjatja e pritjes për qytetarë.

Një problematikë të tillë e ka ngritur edhe vetë kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, i cili për KALLXO.com ka thënë se arsyeja stërzgjatjes së shqyrtimit të ankesave të rasteve pronësore është numri i vogël i gjyqtarëve që i trajtojnë këto lëndë që është në dispoporcion me numrin e lëndëve të pranuara, gjë që tejkalon kapacitetet e fuqisë punëtore sa ka kjo Gjykatë. Ai ka përsëritur kërkesën e vazhdueshme të shtimit të numrit të gjyqtarëve për çka ka thënë se është forma e vetme e zhbllokimit të këtij kolapsi të kapacitetit të sistemit të drejtësisë për zgjidhjen e këtyre rasteve.

 

Gjykatat të krijojnë data baza të të dhënave të rasteve pronësore

Gjykatat e Kosovës nuk kanë data-bazë në bazë të të cilës do të ishte i mundur që të dihej se cili është numri i grave dhe vajzave të cilat e kërkojnë të drejtën e tyre në pronë.

Në rast se Gjykatave të vendit i parashtrohet një kërkesë për pajisjen me të dhëna statistikore rreth rasteve të grave që kërkojnë të drejtën e tyre në punë, atëherë me gjasë do të mbetemi pa një përgjigje, e gjithë kjo për shkak se Gjykatat tona nuk i kanë të klasifikuara në data-baza këto raste.

Mungesa e një klasifikimi të tillë të rasteve rezulton në mos informim lidhur me trajtimin e këtyre rasteve. Mungesa e data bazave pamundëson pasjen e një pasqyre të qartë lidhur me vendosjen dhe trajtimin e këtyre rasteve e po ashtu pamundësohet edhe monitorimi i këtyre rasteve nga palët e interesuara.

Në të njëjtën kohë në mungesë të një data baze të tillë është i pa shmangshëm fakti se nuk do të mund të dihet se cila është performanca e gjyqtarëve të Gjykatave tona, në raport me zgjidhjen e rasteve të kësaj natyre. Vetëm atëherë kur do të kishim një data bazë të tillë që do t`u ofrohej qasje grupeve të ndryshme të interesit, do të mund të përcillej më për së afërmi puna e gjyqtarëve dhe efikasiteti i gjyqësorit në përgjithësi në zgjidhjen e këtyre rasteve.

Çka do të mund të kërkohej edhe llogaridhënie Gjykatave të caktuara në të cilat do të evidentohej mos zgjidhje e mjaftueshme e këtyre rasteve e zvarritje të tyre, çka qon në mos respektim të parimeve themelore të të drejtave të njeriut për një gjykim të drejtë dhe në kohë të arsyeshme.

 

Rekomandimet pa zgjidhje

Qysh në vitin 2016 BIRN-i përmes një raporti për të drejtat pronësore të grave, kishte rekomanduar që noterëve dhe gjyqtarëve t’u mundësohej qasje direkte në regjistrat e ARC-së. BIRN kishte rekomanduar që të hyjë në funksion baza elektronike e të dhënave me ç ‘rast dëshmia mbi vdekjen dhe përcaktimi i trashëgimtarëve në fillim të procesit të ndarjes së trashëgimit të mos varet nga deklaratat (që potencialisht mund të rezultojnë të rrejshme) të inicuesve të procedurave, por të jenë automatike e me mundësi ndryshimi gjatë procesit apo në fund të tij në rast të nevojës.

Nevoja për qasje në këta regjistra erdhi pasi që noterët dhe gjykatësit kishin treguar se gjatë përpilimit të aktvdekjes burrat tentojnë t’i fshehin gratë si trashëgimtare në mënyrë që atyre t’u jepet e drejta automatike në trashëgimi.

Të dhënat e siguruara kanë treguar se ky veprim edhe pse është kundërligjor dhe i sanksionuar me Kodin Penal vazhdon të jetë prezent.

Por ndonëse pas nënshkrimit të marrëveshjes për shkëmbimin e të dhënave në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Odës së Noterëve të Kosovës, edhe pas më shumë se tre viteve që nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje noterët thonë se nuk po u mundësohet qasja në këto të dhëna.

Ata kanë treguar se si pasojë e kërkesës shtesë që identifikimi i palëve të bëhet edhe përmes certifikatës së gjendjes civile, sot e kësaj dite noterëve po u bëhet e pamundur që të kenë qasje në këtë aplikacion për gjenerimin e të dhënave.

Ligji për Noterinë, më saktësisht Neni 2 përcakton qasjen e noterit në bazat e të dhënave elektronike të organeve publike.

Sipas po këtij neni, noteri si zyrtar publik me qëllim të sigurimit të shërbimeve noteriale ka të drejtë që të ketë qasje në të gjithë regjistrat elektronik të organeve publike.

Ky ligj më tej parasheh se organi shtetëror kompetent sipas kërkesës së Odës së Noterëve të Kosovës është i obliguar që në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e parashtrimit të kërkesës të krijojnë qasje elektronike të gjitha zyrave noteriale, si dhe shpenzimet në lidhje me krijimin e qasjes në të dhënat elektronike publike mbulohen nga Oda.

Selatin Shahini nga Oda e Noterëve të Kosovës ka thënë për KALLXO.com se mos ofrimi i qasjes për noterët në regjistra civil, rrit ndjeshëm mundësinë për fshehje të trashëgimtarëve.

Sipas Shahinit nuk janë të pakta rastet kur ndodh që zyrtarët e gjendjes civile, me apo pa dashje të mos i evidentojnë të gjithë trashëgimtarët në certifikatën e gjendjes civile.

Ai ngriti shqetësimin se përderisa noterëve nuk u ofrohet qasja në regjistrat e gjendjes civile ashtu siç është e paraparë me ligj, atëherë do ketë mundësi të shtuara që palët të mund t’i falsifikojnë certifikatat e gjendjes civile, më qëllim të fshehjes së trashëgimtarëve. Sipas tij vetëm në rast se noterëve u ofrohet mundësia e qasjes në këto të dhëna, atëherë verifikimi i të dhënave nga certifikatat e gjendjes civile do të ishte shumë më i lehtë dhe do të ofronte siguri të dyfishtë.

Një tjetër rekomandim i dhënë nga noterët është edhe heqja e afatit 30 ditor për inicimin e trashëgimisë dhe njoftimin e trashëgimtareve.

Sipas tyre kjo dispozitë e cila buron nga neni 161, i Ligjit të Procedurës Jokontestimore, nuk është duke prodhuar ndonjë rezultat pozitiv përpos zvarritjes së procedurës.

Kjo për shkak se sipas tyre, publikimi i këtyre njoftimeve në gazetën zyrtare të Kosovës, nuk është duke i kontribuar aspak shpërndarjes së njoftimit për inicimin e procedurës trashëgimore.

Sipas disa noterëve, një dispozitë e tillë nuk prodhon asnjë rezultat pozitiv për shkak se sipas praktikës së tyre të përditshme, ka raste të rralla për të mos thënë se nuk ka asnjë palë e cila lajmërohet në bazë të njoftimit që është bërë në gazetën zyrtare.

Kjo për shkak se sipas tyre, shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës nuk kanë aspak njohuri për gazetën zyrtare, si dhe pjesa tjetër që kanë njohuri nuk e vizitojnë këtë faqe pothuajse asnjëherë.

Andaj në rast se publikimi i këtyre njoftimeve përpos në gazetën zyrtare do të mund të promovohej edhe në ndonjë formë tjetër, sipas noterëve vetëm atëherë do të mund të pritej ndonjë rezultat nga shpallja e këtij afati 30 ditor për njoftimin e trashëgimtarëve, që sipas tyre momentalisht vetëm sa po shkakton zvarritje të procedurës në vend të krijimit të ndonjë efekti pozitiv.

Përpos këtij problemi, në bashkëbisedim me KALLXO.com, noterët kanë deklaruar se përpos në regjistrat civil atyre nuk po u mundësohet qasje as në regjistrat kadastral e si pasojë e kësaj ata thonë se po imponohet rrezik në ekzekutimin e kontratave të transaksioneve.

Mos ofrimi i qasjes në regjistrat civil dhe në regjistrat kadastral shikohet si rrezik i drejtpërdrejtë i rritjes së numrit të falsifikimeve nga palët.

Sipas noterëve ndonëse tash e një vit me anë të Ligjit për Noterinë, atyre me ligj u është mundësuar qasja në këto të dhëna, deri më tani shteti nuk ka bërë asgjë për ta evituar këtë problem.

Lidhur me këto shqetësime të noterëve, BIRN kërkon që Ministria e Punëve të Brendshme të ndërhyjë sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që të bëhen ndryshimet e nevojshme në aplikacion, çka do t`u mundësonte noterëve qasje të drejtpërdrejtë në regjistrat civil të palëve, ashtu siç është e përcaktuar me ligj.

Në bashkëbisedim me njohës të fushës, si gjyqtar, avokat e noterë, të njëjtit e kanë përsëritur faktin se sipas tyre momentalisht Kosova gëzon një infrastrukturë të kënaqshme ligjore sa i përket rregullimit të marrëdhënieve nga e drejta familjare por që sipas tyre edhe më tej ka nevojë për një monitorim të vazhdueshëm të sistemit gjyqësor me qëllim të përmirësimit si dhe ngritjes së llogaridhënies në përgjithësi.

Në një përgjigje të pranuar së fundmi nga Agjencia Kadastrale e Kosovës kemi pranuar të dhënat se për vitin 2019, nga gjithsej 95 mijë e 631 kërkesa të grave për të bartur pronën mbi vete, janë arritur të shqyrtohen 4533 raste të cilave u është aprovuar kërkesa për bartje të pronës.