Maqedonia Konfirmon Dënimet në Rastin “Monstra”

Gjykata e Apelit në Shkup nuk e ka ndryshuar dënimin me burgim të përjetshëm për gjashtë shqiptarët e dënuar për terrorizëm për vrasjen e pesë maqedonasve në vitin 2012, një çështje që shkaktoi trazira etnike në vend.

Gjykata e Apelit tha në një deklaratë të hënën se ajo ka mbështetur dënimet e gjashtë shqiptarëve dhe ka refuzuar kërkesat e tyre për apel si “të pabaza”.

Mbrojtja e tyre kishte kërkuar lirimin e tyre nga akuzat për shkak të mungesës së provave, duke këmbëngulur se çështja ishte një ndjekje penale politike e organizuar nga qeveria.

Prokuroria megjithatë pohoi se vrasjet ishin një akt terrorizmi, me qëllim për të provokuar trazira etnike në Maqedoni.

BIRN nuk qe në gjendje të kontaktonte me avokatët mbrojtës për një reagim nga ana e tyre.

Trupat e Filip Slavkovskit, Aleksandar Nakjevskit, Cvetanco Acevskit dhe Kire Trickovskit, të gjithë të moshës midis 18 dhe 20 vjeç, u zbuluan më 12 prill 2012 pranë liqenit Smilkovci në zonën e Shkupit.

Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe dukej sikur ishin ekzekutuar. Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski u gjet pak më larg.

Lajmi i vrasjeve rriti tensionet etnike dhe grupe maqedonasish etnikë organizuan protesta, disa prej të cilave u bënë të dhunshme, duke fajësuar komunitetin e pakicës shqiptare për vrasjet.

Në korrik 2014 gjykata penale në Shkup dha dënimin më të gjatë të mundshëm për vepra terroriste, burgim të përjetshëm, për gjashtë shqiptarët etnikë për vrasjet.

Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta janë në burg në Maqedoni, por dy të tjerët, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, janë në burg në Kosovën fqinje ku ata po shlyejnë një tjetër dënim që s’ka lidhje me këtë.

Dënimet për terrorizëm shkaktuan edhe më shumë tensione, ndërsa në Shkup shpërthyen përleshje të tjera midis disa mija njerëzish të zemëruar, kryesisht të rinj shqiptarë dhe policisë, e cila përdori gaz lotsjellës, tuba uji, granata tymuese dhe spraj me piper në përpjekje për të shuar trazirat.

Protestuesit thanë se nuk i besonin gjykatës, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Nikolla Gruevski se ka ndikuar në marrjen e vendimeve.

Seanca dëgjimore në Gjykatën e Apelit pritej të shënonte një kthesë në këtë çështje të profilit të lartë.

Spekulimet sugjeruan se mbrojtja mund të paraqiste prova të reja nga transkriptimet e bisedave të përgjuara rreth çështjes mes zyrtarëve të lartë – pjesë e një sasie të madhe regjistrimesh që opozita maqedonase ka bërë publike në përpjekjen e saj për të rrëzuar qeverinë.

Përgjimet hedhin dyshime mbi dënimet, sipas kreut të opozitës Social- Demorkate, Zoran Zaev. Por Zaev nuk i ka publikuar transkriptimet, duke thënë se druhet se ato mund të shkaktojnë një reagim të dhunshëm nga komuniteti i madh shqiptar në vend.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e sapoformuar në Maqedoni, e cika ka për detyrë të hetojë çështjet e përgjimeve të paligjshme, kërkoi ditën e hënë që opozita të japë të gjitha materialet që ka në lidhje me këtë çështje.

Prokuroria Speciale tha se së shpejti do të vendosë nëse do të marrë nën jurisdiksionin e saj çështjen, pasi të analizojë materialet.

Në vitin 2012, Maqedonia kaloi një konflikt të shkurtër të armatosur midis rebelëve shqiptarë dhe forcave të sigurisë. Konflikti përfundoi të njëjtin vit me nënshkrimin e një marrëveshjeje paqeje të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët, e cila u siguroi më shumë të drejta shqiptarëve të cilët përbëjnë një të katërtën e 2.1 milionë banorëve të vendit.