Takimi i gjeneralëve Rama e Velickovsi | Foto: MFSK

Maqedonia e Gatshme të Shkollojë Kadetë të FSK-së

Gjatë vizitës në Kosovë dhe në ambientet e FSK-së, shefi i Shtabit të Ushtrisë së Maqedonisë gjeneral-lejtnanti Metodija Velickovski duke folur për vazhdimin e bashkëpunimit të të dyja shteteve në fushën e mbrojtjes, tha se Maqedonia mund të shkollojë kadetë të FSK-së nga radhët e komuniteteve në Akademinë Ushtarake të Shkupit.

Velickovski u prit sot u prit me ceremoni ushtarake nga Njësia Ceremoniale dhe Orkestra Frymore e FSK-së, ndërsa u takua me ministrin e FSK-së Haki Demolli dhe komandantin e kësaj force Rrahman Rama.

Sipas një komunikate të Ministrisë së FSK-së, Demolli e Rama i vlerësuan lart marrëdhëniet me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Maqedonisë.

“Ministri dhe komandanti u shprehen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë dhe FSK-së me Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë e Maqedonisë janë në nivel të lartë dhe treguan gatishmëri për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, përveç që ofroi shkollim të kadetëve të FSK-së, gjeneral-lejtnanti Metodija Velickovski përmendi trajnime të përbashkëta në Poligonin Ushtarak në Krivollak, ose në Qendrën e  Kërkim- Shpëtimit të FSK-së në Pomozotin.

Gjatë vizitës Velickovski dhe delegacioni i Ushtrisë së Maqedonisë qëndruan edhe në Qendrën për Studime Universitare të FSK-së në Kazermën “Adem Jashari” dhe në Regjimentin e Mbrojtjes Civile në Pomozotin.