Maqedoni, jep dorëheqje ministri i Kulturës

Ministri i Kulturës Asaf Ademi dha dorëheqje nga posti i ministrit të kulturës.

Siç bëri të ditur në konferencë për shtyp sot vet ministri, dorëheqja vjen për shkaqe shëndetësore.

“Jam sot këtu që të ju njoftojë për një vendim që e kemi marrë bashkë me kryetarin e Alternativës Afrim Gashin dhe anëtarët tjerë të kryesisë qendrore. Në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore të mbajtur më 22 prill të vitit 2019 unë kërkova nga kryetari dhe nga kryesia qendrore që të më lejojnë të tërhiqem nga posti i ministrit të kulturës. Pas shpjegimeve dhe arsyetimeve të mia që kanë të bëjnë me arsye shëndetësore kryesia qendrore e pranojë kërkesën time, por që të mos ndikojmë në procesin zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale vendosëm që publikimin e saj ta bëjmë pas mbarimit të procesit zgjedhor”, deklaroi Ministri i Kulturës Asaf Ademi.

I pyetur se dorëheqja a vjen si pasojë e paralajmërimit të fshesës së Zaevit, Ademi tha se nuk ka të bëjë me fshesën e kryeministrit Zoran Zaev. Ai tha se me këtë nuk ka lidhje dhe se e ka përkrahur paralajmërimin e Zaevit.

Edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev e tha të njejtën gjë se Ministri i Kulturës, Asaf Ademi jep dorëheqje për shkaqe shëndetësore.