Foto: Kallxo.com

MAPL nuk Lejon që Komiteti i Kuvendit të Kaçanikut të Dominohet nga Gratë

Katër gra të emëruar si anëtare të Komitetit për Komunitet në Komunën e Kaçanikut, nuk po lejohen të jenë përfaqësuese të kësaj trupe udhëheqës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. KALLXO.com ka gjetur se MAPL-ja ka kërkuar të ndryshohet vendimi i Kuvendi Komunal të Kaçanikut i datës 24 janar 2018, me të cilin ishin zgjedhur pesë anëtar të Komitetit për Komunitete, në mesin e tyre vetëm njëri ishte mashkull.

Krahas kësaj MAPL i  ka kërkuar komunës që vendimet për emërimin e anëtareve të katër komiteteve të tjera ku dominojnë  burrat të kthehen në rishqyrtim.

“Komiteti për Komunitete do të jetë në përbërje prej pesë anëtarëve: Lirije Lata nga PDK, Kaltrina Latifi nga LVV, Nazife Krasniqi nga LDK, Elmihane Krasniqi- Malsiu nga HANDIKOS dhe Shemsedin Abazi nga KDMLNJ”, thuhet në vendimin e Kuvendit Komunal të Kaçanikut.

Zgjedhja e vetme e anëtarit Shemsedin Abazi nga KDMLNJ, ka bërë që Ministria e Administratës të Pushtetit Lokal të nxjerr vendim që Komuna e Kaçanikut ka shkel Ligjin për Barazi Gjinore.

“Vendimi Nr.60/01- 178/2018 me të cilin është përcaktuar përbërja e Komiteti për Komunitete është në kundërshtim me Ligjin për Barazi Gjinore për shkak të ‘Mos përfaqësimit të barabartë të meshkujve në këtë trup ndihmuese të punës së kuvendit’”, thuhet në vendimin e MAPL-së që është marrë më 1 shkurt 2018, që është siguruar nga KALLXO.com.

Madje duke e parë këtë rrethanë, MAPL ka kërkuar nga Kuvendi Komunal i Kaçanikut dhe kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi të ndërmarrin hapa.

“Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kërkon nga Kuvendi i Komunës/ Kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozita ligjore në fuqi brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në vendimin e MAPL-së.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi i cili ka thanë se kjo çështje do të rregullohet në mbledhjen e parë të Kuvendit Komunal.

“Në mbledhjen e tjetër të Kuvendit në muajin shkurt do ta rregullojmë këtë. Anëtarë mund të jenë të njëjtë, por mund të ndryshoj një nga ta se është në pyetje  që vetëm barazia gjinore nuk është përmbushur. Pra do të emërohet një anëtar nga gjinia mashkullore”, tha Ilazi.

MAPL në vendimin e tij ka vlerësuar se përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.

KALLXO.com ka raportuar se kryetarët e Komunave nuk po e respektojnë ligjin për barazi gjinore me rastin e emërimit të drejtorëve të drejtorive komunale. Deri më tani, vetëm kryetari i Komunës së Drenasit i ka emëruar 5 gra në krye të drejtorive komunale, apo 50% të pozitave.

MAPL gjatë këtyre javëve duke u thirrur në ligjin për barazi gjinore ka kërkuar nga asambletë komunale duke garantuar përfaqësim të barabartë në mes burrave dhe grave në komitetet e komunës. Siç mëson KALLXO.com shumica e vendimeve për emërimet në komitetet e komunave janë  kthyer në rishqyrtim nga MAPL