Foto-ilustrim

MAPL Kthen Prapa Emërimet për Mosrespektim të Barazisë Gjinore

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka shqyrtuar ligjshmërinë e vendimeve të komunave, pas konstituimit të pushteteve lokale pas zgjedhjeve lokale të tetorit të vitit të kaluar.

Në veçanti, kjo ministri ka shqyrtuar respektimin e Ligjit për Barazi Gjinore nga komunat në përzgjedhjen e anëtarëve të komiteteve dhe ndërmarrjeve publike komunale.

Në një raport të publikuar nga kjo ministri, del se në një numër të madh të vendimeve të komunave të Kosovës në përzgjedhjen e anëtarëve të komiteteve dhe ndërmarrjeve publike nuk është respektuar barazia gjinore dhe këto vendime u janë kthyer komunave gjegjëse për rishqyrtim.

Ky raport vë në pah se komunat nuk e kanë respektuar ligjin që obligon komunat të ‘miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar’ dhe të sigurojnë ‘përfaqësim minimal prej pesëdhjetë për qind (50%) për secilën gjini’ në çdo organ vendimmarrës.

Ndër komunat që nuk e kanë respektuar këtë obligim ligjor janë ajo e Gjakovës, Mitrovicës së Jugut, Kaçanikut, dhe Suharekës.

Sipas vendimit të publikuar në ueb faqen e MAPL-së, Komuna e Gjakovës nuk kishte respektuar përfaqësim të barabartë të grave në Komitetin për Politikë dhe Financa.

Sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Gjakovës në këtë komitet nga nëntë anëtarë vetëm dy ishin gra.

Ngjashëm, MAPL-ja ka rikthyer në rishqyrtim themelimin e Komiteteve për Politikë dhe Financa të kuvendeve komunale të Kaçanikut dhe Suharekës.

Kuvendi Komunal i Kaçanikut kishte emëruar shtatë anëtarë, nga ta asnjë grua, ndërsa KK i Suharekës nga shtatë anëtarë, emëroi vetëm dy gra.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës, në vendimin për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Aksionarëve të Ndërmarrjes Publike “Tregu” kishte emëruar tre burra dhe asnjë grua.

Këtë vendim, MAPL e kishte konsideruar në kundërshtim me Ligjin për Barazinë Gjinore, duke kërkuar që të respektohet ky ligj në emërimin e aksionarëve në këtë ndërmarrje.

Sipas informatave të bëra publike nga MAPL, deri më tani 24 kryetarë komunash kanë emëruar 261 drejtorë, nga ta vetëm 43 gra. Vetëm Kryetari i Komunës së Gllogocit, Ramiz Lladrovci ka emëruar gjysmën e drejtorive të komunës gra dhe gjysmën burra.

Shembulli i Lladrovcit për Barazinë Gjinore

Gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale në debatet me kandidatët për kryetarë komunash në “Debat Pernime”, autorja e emisionit Jeta Xharra ka kërkuar nga kandidatët të premtojnë respektimin e barazisë gjinore në emërimin e drejtorëve komunalë.

Çka Premtuan Kandidatët në Balotazh për Përfaqësimin Gjinor në Qeveritë Komunale?

Një numër i madh i kandidatëve nuk e kanë realizuar premtimin e dhënë në Emisionin “Debat Pernime”.