Mamitë e Kosovës Ankohen për Mbylljen e Materniteteve

Mamia Xhejrane Lokaj nga Dragashi tha se deri më tash janë mbyllur disa maternitete.

“Kemi informatë se në Kaçanik veq është mbyllë materniteti para tre viteve. Flitet me të madhe se në Istog do të ndodhë diçka e tillë, materniteti i Dragashit poashtu i nënshtrohet diçkaje të tillë dhe kam frikë dhe nëse vazhdon ky trend i mbylljes nuk do të mund t’i rezistojnë edhe komunat tjera”, tha ajo.

Lokaj tha se përveç dëmit që do i bëhet pacienteve nuk dihet se ku do të mbesin edhe mamitë që janë të edukuara në këtë drejtim.

Me kolegen e tyre u pajtuan edhe mamitë nga disa komuna të tjera.

Ato thanë se roli i mamive nuk është vetëm të ndihmojë në lindje por edhe për shërbime të tjera. Ato thanë se po u bëhet padrejtësi grave nëpër komuna të vogla.

Dy muaj më parë, KALLXO.com kishte raportuar që maternieti në Klinë nuk ofron më shërbimet e lindjet për gratë shtatzëna.

http://kallxo.com/mbyllet-per-lindje-femijesh-materniteti-klines/

Deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje Besa Baftiu tha se një çështje e tillë është ngritur edhe para Ministrit të Shëndetësisë.

Sipas Baftiut, në komunën e Kamenicës ka maternitet i cili nuk ka gjinekolog.

“Qysh në fillim të këtij mandati shqetësimin e kam ngritë para Ministrit të Shëndetësisë. Unë vi nga ana e Gjilanit ku i kemi dy maternitete në Kamenicë dhe në Viti në të cilat tani nuk ka mjek gjinekolog dhe nuk kryhen lindjet. Nëse nuk janë mbyllë janë në rrezik që të mbyllen”, tha Baftiu.

Ajo tha se mjekët gjinekologë duhet të mos përqëndrohen vetëm në qendra por të ndihmojnë edhe nepër maternitete.

Deputetja nga Nisma Shukrije Bytyqi ngriti një temë tjetër.

Ajo kërkoi më së pari nga mjekët që të kenë një kulturë njerëzore e pastaj profesionale.

“Për dy javë rishtazi kam qenë në qendrën klinikë ne Gjinekologji ajo që më ka bërë përshtypje që një mantelbardhë hyn në dhomë me ditë dhe natë të tëra e nuk e thotë një ‘mirëmbrama’ na krejt punojmë në institucione për mua është shkelje e të drejtave të njeriut që të paktën njëherë të mos e them atë”, tha ajo.

Ajo tha që kish me qenë më e udhës që Drejtoresha e Klinikës së Gjinekologjisë të ishte e pranishme në mënyrë që të diskutohen për rastet e përfolura në këtë Klinikë.

Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale u dhanë përkrahje mamive në shqetësimet e tyre.

Mamitë janë të edukuara për të ndihmuar gratë gjatë  shtatzënisë lindjes dhe pas saj.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, disa maternitete nuk e kanë arsyetuar punën e tyre duke kryer numër shumë të vogël të lindjeve.

“Ministria e Shëndetësisë është duke përkrahur fuqizimin e konceptit të Mjekësisë familjare me qëllim që shumica e shërbimeve shëndetësore për qytetarët të ofrohen në nivel të Kujdesit parësor Shëndetësor, përfshirë këtu edhe shërbimet për shtatëzenat. Ka kërkuar nga KPSh që të punojnë në zbatimin e këtyre rekomandimeve dhe t’i kenë funksionale maternitetet dhe t’i shfrytëzojnë ato sepse jo çdo lindje ka nevojë të referohet në Kujdesin Dytësor apo Tretësor dhe mund të kryhet pa komplikime nën përkujdesjen mjekësore të personelit të materniteteve në Kujdesin Parësor Shëndetësor”, thotë Faik Hoti Zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.