Kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku

Maloku: Nuk Japim Urdhra për Rrënimin e Objekteve pa Leje

Kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” të transmetuar të premten deklaroi se shkresa e prokurorit të krimeve të rënda Agron Uka për disa tenda tek ish-Shtëpia e Mallrave në Gjilan është keqinterpretuar.

“Drejtësia në Kosovë” në dhjetor të vitit të kaluar tregoi se inspektorët gjilanas ishin vënë në lëvizje për rrënimin e disa tendave-terrasave ilegale të lokaleve në qendër të Gjilanit, pasi për to ishte interesuar me një shkresë prokurori Agron Uka.

Këto terrasa filluan të rrënohen më 10 shkurt, por rrënimi i tyre u ndërpre, ngase pronarët e lokaleve ua treguan inspektorëve komunalë të Gjilanit një vendim të gjykatës për masë të përkohshme ndaj këtij rrënimi.

http://kallxo.com/nis-dhe-ndalet-rrenimi-tarracave-ne-qender-te-gjilanit/

Kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku tha se rrënimi i objekteve pa leje nuk është kompetencë e prokurorëve.

Pasi që sipas tij prokurori Uka nuk ka kërkuar rrënimin, por ka kërkuar informata nga zyrtarët e komunës rreth atyre objekteve. Ai ka thënë se vendimi për rrënimin e objekteve pa leje nuk është punë e prokurorëve, por e institucioneve kompetente komunale.

“Është keqkuptuar kjo, kemi pasë ankesa nga ana e qytetarëve tanë, për shkak se është uzurpuar hapësira publike dhe është penguar lëvizja e qytetarëve. Dhe prokurori ka kërkuar informata nga drejtoritë përkatëse të komunës bazuar në ankesat e qytetarëve. Dhe nuk ka dhënë urdhër për rrënimin e objekteve,” tha kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku.

Deklaratën e kryeprokurorit Jetish Maloku mund ta ndiqni këtu.