Arkiv

Malishevë, afro 1.000 të pickuar nga rriqrat

Numri i të pickuarve nga rriqrat në komunën e Malishevës gjatë këtij viti ka arritur në afro 1.000.

Komuna e Malishevës ka njoftuar se deri më sot janë thumbuar nga rriqrat 969 persona, të cilët janë trajtuar në QKMF në Malishevë.

Megjithatë, asnjë rast deri më sot nuk është regjistruar me infeksion, ndërsa ky është viti i pestë pa infeksion dhe viti i gjashtë pa raste me fatalitet, si pasojë e infeksionit me ethet hemorragjike krime kongo (EHKK), virus i cili bartet te njeriu përmes rriqrave.

Për shtabin komunal, në krye me nënkryetarin e Komunës, Hajdin Berisha, që merret me marrjen e masave për luftimin dhe parandalimin e etheve hemorragjike krime kongo në Malishevë, shqetësues është ndërprerja e repelimit të kafshëve, pasi kjo është masa më efikase.

“Pavarësisht se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në vazhdimësi lëshon komunikata për gjendjen epidemiologjike me EHKK, dhe në këto komunikata thuhet se profesionistët janë duke bërë repelimin e kafshëve në terren, kjo nuk qëndron, sepse repelimi është ndërprerë në fazën e dytë, ndërsa vitin e kaluar nuk është realizuar fare”, thuhet në deklarimin e shtabit komunal për menaxhimin e EHKK.