Ilustrim - Foto: KALLXO.com

Malisheva pa Dekorime, Rahoveci me Pak Shkëlqim

Derisa Komuna e Malishevës nuk planifikon ndonjë aktivitet për festat e fundvitit dhe as stolisjen e qytezës, Rahoveci ka shpenzuar për këtë qëllim mbi 6 mijë euro.

Shumën e mjeteve të përdorura për zbukurim të Rahovecit, e tregoi për KALLXO.com, Haziz Krasniqi, zyrtar për informim në këtë komunë.

“Kompania e cila e ka fitu tenderin është kompania ‘Etniku’ nga Suhareka dhe shuma e mjeteve të përdorura nga komuna për dekorimin e qytetit të Rahovecit është mbi 6 mijë euro,” tha Krasniqi.

Ai tregoi se kjo shumë është përdorur vetëm për Rahovecin dhe jo edhe për qendrat tjera më të vogla të kësaj komune.

Në Rahovec nuk planifikohet ndonjë aktivitet për fundvit, përveç atij ku do të zgjidhet sportisti i vitit.

“Përveç aktivitetit për sportistin më të mirë të vitit, nuk do të mbahet tjetër aktivitet,” tha Haziz Krasniqi.

Ndryshe nga Rahoveci, në Malishevë nuk do të ketë as aktivitete, e as dekorime të organizuara nga komuna.

“Komuna e Malishevës nuk e dekoron qytetin dhe nuk ka organizuar ndonjë aktivitet për fundvit,” shpjegoi për KALLXO.com Zyra për Informim në Malishevë.

Dje KALLXO.com shkroi edhe për dekorimin e Shtimes, e cila sipas zyrtarëve të atjeshëm do të dekorohet me materialet e përdorura vitin e kaluar dhe në bashkëpunim me bizneset.

http://kallxo.com/shtimja-stoliset-dekorimet-e-vjetme/

Shumica e qyteteve kosovare janë dekoruar për festat e fundvitit, ndërsa nga disa prej tyre amosferën e festës e ka sjellë KALLXO.com me video 360 shkallë.

Redaktoi: Bekim Muhaxheri