Malisheva, Një Ditë Pas Vërshimeve

Oborri i Feim Mazrekut të mërkurën i ka ngjarë një pishine.

Në kërkim të rrjedhës së vet, uji fillimisht kishte dalë në oborr, dhe kur niveli i tij kishte kaluar edhe të paparashikueshmen, ai kishte depërtuar edhe në shtëpi.

Një ditë më pas, familjarët e tij i kanë hyrë ekspeditës së pastrimit të çdo gjëje brenda shtëpisë.

Për nja 15 minuta ai kishte bërë garë me ujin e ftohtë të sjellë në oborrin e tij nga të reshurat e shiut dhe bora e shkrirë.

Kur e kishte parë se niveli i ujit po rritej, ai i kishte hyrë notit për të shkuar në fund të oborrit që t’ia hapë disi rrjedhën ujit.

“Kam shku deri te shpija tjetër për ta largu një derë në mënyrë që të zbresë niveli i ujit. Operacioni pati sukses sepse uji filloi të ecë menjëherë”, tha ai.

Pamjet sikur në oborrin e Feimit kanë qenë të zakonshme të mërkurën pasdite në Malishevë dhe në disa fshatra përreth.

Përveç qytezës, më së keqi kishin kaluar fshatrat Banjë dhe Mirushë.

Shumë shtëpi të këtyre vendbanimeve janë përmbytur atë ditë.

http://kallxo.com/sundimi-i-ujit-ne-malisheve/

Një ditë më pas, në rrugët e Malishevës, zhurmat e pompave të ujit kanë qenë gjëja më e zakonshme.

Gentrit mazreku ka përdorur tri të tilla për ta larguar ujin që i ishte futur në bodrumin e biznesit të tij.

Rrobat të cilat ai i kishte për Pazar i janë dëmtuar në masë të madhe.

Thotë se dëmet e shkaktuara nga vërshimet kapin shumën deri në 60 mijë euro.

“Uji në bodrum ka qenë deri në një metër e gjysmë”, thotë ai.

Përderisa komuna e Malishevës ka dërguar ekipet në teren për t’i vlerësuar dëmet, kryetari Ragip begaj nuk jep shifër për shumën e dëmeve.

Ai thotë se pas tri- katër ditëve do të dalë me një të dhëna të kompletuara për ato që bashkëvendasit e tij pësuan gjatë ditës së djeshme.

“Bizneset janë të dëmtuara, familjet janë të dëmtuara. Brenda tri- katër ditëve do të dalim me një vlerësim të dëmeve”, thotë ai.

Në hamendjen e Hasim Mazrekut, një qytetari të Malishevës, një nga faktorët që ka shkaktuar vërshime në Malishevë është edhe autodtrada e ndërtuar para tri viteve, e cila kalon skaj komunës.

“Janë nga 15 bazene të cilat janë ndërtuar dhe kur ato shkarkohen, mund të ndikojë në rritjen e nivelit të ujit”, thotë ai.

Por Skender Gajraku nga Malisheva e fajëson komunën për atë që ndodhi.

38 vjeçari thotë prej se e mban mend, lumi Mirusha asnjëherë nuk ëhstë pastruar.

“Komuna ka faj më së shumti. Lumin po e ndotin qytetarët por komuna nuk po e pastron. Krejt mbeturinat hedhen në lum nga Bellanica e Temeqina e deri këtu”, thotë Gajraku.

Por kryetari Begaj thotë se vërshimet janë punë e Zotit dhe “askush nuk ka mundur t’i parandalojë”.

“I kam 60 vjet dhe asnjëherë në jetën time nuk ka pasur ujë më tepër në rrjedhën e lumit Mirusha. Është për shkaqe natyrale dhe nuk është punë kanalizimesh apo diçka tjetër”, thotë Begaj.

http://kallxo.com/lumi-ne-rrugen-per-banje/